EKSKLUZIVE / Nga Dinamo e tij dhe e sotmja deri te tmerri në Ukrainë. Sergey Romanishin bën rrëfimin drithërues me shqipe të pastër

23 Prill 2022
15:30
Alfred Lleshi
back button

Ukraina dhe Shqipëria kanë dhënë e marrë në futboll. Shumë futbollistë tanët kanë shkuar në këtë vend dhe kanë zhvilluar karrierat e tyre, ndër të cilët edhe ata që kanë bërë emër në kombëtaren kuqezi si Debatik Curri, Armend Dallku etj. Një vend që i ka mirëpritur futbollistët tanë, është treguar mjaft miqësor me ta.

Prandaj, dhimbja e krejt shqiptarëve, sidomos e futbollistëve që kanë luajtur atje, është e madhe këto kohë, kur ka nisur pushtimi rus. Dhe meqë jemi te futbolli, sa kujton Ukrainën nuk mund të të mos vijë në mendje Sergey Romanishin, i cili erdhi nga Kievi te Dinamo e Tiranës dhe bëri emër të madh.

Me siguri, ai kujtohet me shumë respekt dhe dashuri nga tifozët blu, por edhe nga krejt sportdashësit shqiptarë. U shpall kampion me “nëndetësen blu”, i dha asaj gjithçka, qoftë si futbollist, por mbi të gjitha si njeri.

“Telesport” u lidh me Sergey dhe zhvilloi një bisedë të përgjithshme, që fokuson edhe situatën dramatike në atdheun e tij. Me një shqipe që duhet ta kenë lakmi edhe shumë prej nesh, ai u përgjigj në anën tjetër të komunikimit virtual me shumë mirësjellje. Madje, ngulmoi vetë të komunikonim shqip, sepse tha dua ta praktikoj me këtë rast.

E nisëm bisedën nga koha e tij te Dinamo: “Nga ajo kohë kam vetëm kujtime të bukura. Ishte interesante dhe bukur të luaja për Dinamon. Në atë kohë, Dinamo kishte një përzgjedhje shumë të mirë lojtarësh, me të cilët kisha një mirëkuptim të plotë, si në fushën e futbollit, ashtu edhe jashtë saj.

Dhe kur ke mirëkuptim e respekt me njëri-tjetrin në një ekip futbolli, atëherë rezultati do të vijë patjetër. E kujtoj mirë titullin e fituar në Shqipëri. Sigurisht që nuk ishim të vetmit që e fituam kampionatin shqiptar dhe të merrnim meritat. Këtu duhet të falënderojmë të gjithë punonjësit e klubit, pa përjashtim, përfshirë edhe kuzhinierët, pastruesit…

Sigurisht, ishte meritë e madhe e stafit stërvitor, përfshirë mjekët dhe masazhatorët. Duhet të falënderojmë edhe fansat, që kanë qenë gjithmonë me pankarta në stërvitje dhe stadium, na kanë mbështetur, kanë besuar te ne. Kështu, kujtimet kur kam luajtur për Dinamon janë vetëm të këndshme dhe pozitive. Në përgjithësi, për gjithë kohën që kam kaluar në Shqipëri, kam vetëm kujtime të këndshme”.

Karriera e tij, pas largimit nga Shqipëria: “Pas Dinamos kalova edhe disa vite në kampionatin ukrainas dhe e mbylla aty si futbollist. Bëhet fjalë për ligën e parë ukrainase”. Në këto ditë dramatike për Ukrainën, natyrshëm interesohemi edhe për situatën e tij, atë që po ndodh realisht me pushtimin rus: “Unë jetoj në Kanada prej 3 vitesh. Fatkeqësisht nuk punoj në fushën e sportit, sepse këtu futbolli nuk është shumë i njohur.

Nuk mund ta përshkruaj me fjalë pushtimin rus të Ukrainës. Kjo është një temë shumë e vështirë për mua dhe mendoj se nuk do të mund t’ju përcjell me fjalë gjendjen time shpirtërore, as atë atë që po ndodh në Ukrainë. Një gjë mund të them: ato që shihni në Shqipëri nëpërmjet televizionit janë lule para asaj që ndodh realisht në terrenin e luftës.

Situata është shumë e keqe. Populli ukrainas me të vërtetë po e befason botën, por ne nuk kemi rrugëdalje tjetër. Ne duhet të mbrojmë tokën tonë, gratë dhe fëmijët tanë. Sjellja e të tjerëve ndaj Ukrainës në këtë tragjedi të madhe? Për mendimin tim, Europa dhe bota nuk po na ndihmojnë 100%. Megjithatë, personalisht dua ta falënderoj Evropën dhe botën për ndihmën e tyre. Fitore për Ukrainën, lavdi njerëzve tanë që po mbrojnë atdheun!”

Romanishin ndalet edhe te situata aktuale e Dinamos, shumë pranë largimit nga Superiorja, pas vetëm një viti aty: “Dinamon e dua shumë, e ndjek sa mundem, sepse me të u shpalla kampion, ruaj kujtime shumë të këndshme. Por kjo është histori.

Dinamo e sotme për fat të keq nuk iu pëlqen as tifozëve, as ish-lojtarëve të saj, as të gjithë punonjësve që kanë punuar në klub. Më vjen shumë keq që Dinamo do të largohet nga Superiorja. Unë e ndjek gjithmonë Dinamon, madje jo vetëm atë. Më intereson e gjithë Shqipëria, futbolli i saj”.

Duket qartë se Sergey ka nostalgji për periudhën e kaluar këtu: “Unë kam vetëm mendime të mira për shqiptarët, janë njerëz të mirë, miqësor. Në Shqipëri më respektonin dhe më trajtonin shumë mirë. Për këtë dua t’i falënderoj të gjithë shqiptarët!”

Po me cilët nga ish-bashkëlojtarët mban ende kontakte? Bjondi i dikurshëm dinamovit përgjigjet: “Unë komunikoj me shumë shqiptarë, përfshirë edhe ish-lojtarë të Dinamos. Nuk dua t’i përmend emrat e atyre me të cilët flas, sepse janë shumë”.

Një “shkelje syri” ka për klubet shqiptare. Romanishin do të ishte gati të kthehej e të punonte këtu: “Sigurisht që do të doja të kthehesha, të përcjell përvojën dhe njohuritë e mia në futboll te futbollistët e rinj. Me këtë rast i përshëndes tifozët e Dinamos dhe iu kërkoj që të kenë durim, të mos largohen nga ekipi i zemrës në këtë moment të vështirë”.

Cila skuadër në Shqipëri i ka mbetur më shumë në mendje si kundërshtare? Ukrainasi sqaron: “Për mua, të gjitha skuadrat ishin kundërshtare të denja. Të gjithë rivalët i kam trajtuar me respekt, sepse ekziston një rregull i tillë i pashkruar: NËSE NUK E RESPEKTONI KUNDËRSHTARIN, ai mund t’ju ndëshkojë!”

Po cilin moment nga karriera te Dinamo i ka mbetur më e pashlyeshmja në mendje? “Kam shumë momente dhe ndeshje të paharrueshme. Sigurisht, momenti më i paharrueshëm ishte kur ngritëm trofeun e kampionit të Shqipërisë në Shkodër”, – thotë Romanishin, i cili në fund na falënderon si “Telesport” që e kujtuam në këto ditë të vështira për të dhe familjarët e tij, referuar situatës, luftës dramatike që po zhvillohet në Ukrainë! Përshëndetje të përzemërta kishte edhe për të gjithë shqiptarët!

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit