Futboll

Ekskluzive: Shitja e Gurit, Oostende dhe Kukësi mund të përfundojnë në FIFA për… 10 mijë euro!

Shitja e ish-sulmuesit të Kukësit, Sindrit Guri, drejt Oostende-s ishte lëvizja më e bujshme e verës në kampionatin shqiptar. Shkodrani bëri hapin e madh duke kaluar nga niveli i Superiores në një nga ligat më simpatike të Europës. Shifra e shitjes? 710 mijë euro që mbushën arkat e klubit nënkampion në vendin tonë. 24-vjeçari është futbollisti i shitur më shtrenjtë nga skuadra verilindore. Deri këtu gjithçka në rregull dhe vlen për të buzëqeshur vesh më vesh, por në prapaskenë luhet dhe një skenar tjetër po kaq interesant.

Në marrëveshjen e firmosur ndërmjet Kukësit dhe Oostende-s bëhet me dije se klubi verilindor ka marrë përsipër shpërndarjen e taksës së solidaritetit. KF Shkodra, ekipi privat i drejtuar nga Taip dhe Rudi Piraniqi, kanë stërvitur Gurin për 4 vite dhe e kanë ndjekur këtë çështje me shumë interes. Burime të sigurta të Telesport bëjnë me dije se ata kanë nisur korrespondencën me klubin verilindor, por nuk është arritur ende gjuha e përbashkët.

Në fakt, palët nuk kanë pse flasin shumë, pasi është e shkruar e zeza në të bardhë. Trajneri pranë KF Shkodrës, Rudi Piraniqi, ka kontaktuar me avokatin e klubit të Kukësit, Arsen Selmanaj, dhe i ka kërkuar tarifën për taksën e solidaritetit të Gurit. Ky i fundit i ka kërkuar që të vendoset dokumentacioni në dispozicion të tij për të vërtetuar se Guri ka qenë lojtar i këtij ekipi. Në momentin që i janë vendosur të gjitha dokumentat në dispozicion, avokati i Kukësit u ka thënë që taksën e solidaritetit do ta marrin nga skuadra e Oostendes.

Klubi Shkodra në bashkëpunim me Kukësin kanë nisur korrespondencën me klubin belg për pagimin e kësaj takse. Kukësi pretendon se pagesën duhet ta kryejë klubi belg, këta të fundit kanë kthyer përgjigje negative dhe i kanë renditur palëve nenet e kontratës. Oostende vë në dijeni KF Shkodrën se pagesën e taksës së solidaritetit e ka marrë përsipër ta paguajë skuadra shqiptare. KF Shkodra ka kryer të gjitha procedurat dhe korrespondencën e duhur, Federata Shqiptare e Futbollit është vënë në dijeni dhe kanë ndihmuar në këtë çështje akademinë private të qytetit të Shkodrës.

Trajnerët Taip dhe Rudi Piraniqi janë të bindur t’i shkojnë deri në fund kësaj çështjeje dhe kanë kontaktuar dhe avokatët e duhur që të nisin procedurat ligjore në rast se nuk gjendet vullneti i mirë mes palëve. Po, harruam një detaj. Bëhet fjalë për një shifër diku te 10 mijë euro. KF Shkodra ka të dokumentuara vetëm 3 vite të Gurit. Po flasim për 10 mijë apo 2% të kontratës që i takojnë Shkodrës në kontratë. Një shifër shumë e ulët dhe e papërfillshme kur mendojmë shitjen e Gurit për 710 mijë euro. Më shumë se sa për vetë paratë, një çështje e tillë ndikon dhe në imazhin e klubeve shqiptare, pasi mund të mbyllë disa dritare në merkato.

Vijon si çështje…

 

Më shumë nga Futboll