“Eliksiri” i CR7, ja sekretet e yllit portugez për të sfiduar moshën

24 Janar 2020
11:06
Alfred Lleshi
back button

Sezoni i Cristiano Ronaldos zakonisht ka dy maja: njëra midis shtatorit dhe nëntorit, tjetra në pranverë, kur fillon faza e “nokautit” në Ligën e Kampionëve. Ndonjëherë, megjithatë, ndodhin ngjarje të papritura (në rastin e CR7, një dëmtim i gjurit), që i ndryshojnë planet. Kjo është arsyeja pse Cristiano “ngeci” në nëntor të këtij sezoni, filloi të shënojë përsëri në dhjetor dhe nuk ka të ndalur që nga ajo kohë. Rinisja ishte marramendëse, ashtu siç tregojnë 13 golat e shënuar nga 1 dhjetori e deri më sot. Meritat janë krejtësisht të këtij kampioni, që nuk i lë asgjë rastësisë.

Gjithçka vjen falë punës specifike. Cristiano e di se sa më shumë që kalojnë vitet, aq më shumë duhet të kujdeset për veten, për të marrë më të mirën nga trupi i tij, edhe pse është pothuajse 35 vjeç. Ai është i bindur se mund të përmirësohet më tej. CR7 ka kuriozitetin profesional, që është pothuajse aq i rëndësishëm sa talenti. Kjo gjë është dokumentuar. Ylli portugez është vazhdimisht në kërkim të metodologjive të reja të stërvitjes. Në periudhën te Real Madridi, ai punoi me ish-sprinterin olimpik, Samantha Clayton. Së fundi ia besoi veten duarve të Francis Obikwelu, i cili fitoi medalje argjendi në “Athinë 2004”. Me të u ushtrua në drejtim të forcës me durim në goditje. 

Të dy, gjithashtu, janë parë duke stërvitur së fundi bashkë. Obikwelu e mëson portugezin si të kujdeset për mbështetjen në tokë, diçka thelbësore në goditje. Ronaldo i rafinon cilësitë e tij me punë specifike. Ai është shumë i koordinuar, ka shpejtësi në këmbë dhe një goditje të shkëlqyeshme. Lartësia (kërcimi ajror) është një nga ato veti unike të tij, të cilat i përsos me ushtrime specifike “plyometrike” të basketbollistëve.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit