Eliminatoret e Botërorit 2023, Shqipëria humbet sfidën me Bjellorusinë

26 Nëntor 2020
19:08
Telesport
back button

Kombëtarja e Shqipërisë në basketboll për meshkuj është mundur mbrëmjen e sotme 90-50 nga Bjellorusia, në ndeshjen e vlefshme për fazën para-eliminatore të Botërorit 2023, luajtur në Portugali.

Shqipëria bën pjesë në Grupin A, ku rivalet e tjera janë Portugalia dhe Qipro. Pikërisht në Portugali po luhet kjo fazë e dytë eliminatore (pa tifozë), me sistem grumbullimi, si pasojë e pandemisë Covid-19 (faza e tretë luhet në shkurt 2021).

Kjo ishte sfida e tretë e Shqipërisë në grup, duke pësuar humbjen e dytë (janë mundur edhe nga Portugalia), ndërkohë që kuqezinjtë e trajnerit Afrim Bilali kanë edhe një fitore (kanë mposhtur Qipron).

Ndeshja ishte me rivalitet vetëm në periodën e parë, që u mbyll 21-16 për bjellorusët. Më tej, ndeshja u dominua nga rivalët tanë, që u shkëputën ndjeshëm në çerekun e dytë. Te kombëtarja ndikuan disa mungesa dhe fakti se ekipi vjen në këto sfida pa ndeshje miqësore dhe stërvitje te plotë (në Shqipëri nuk luhet basketboll prej marsit).

Gjithsesi, në gjysmën e dytë të ndeshjes Shqipëria luan më mirë, por Bjellorusia administron avantazhin dhe e meritoi fitoren me shifrat 90-50. Pas 48 orësh, Shqipëria do të luajë sërish në Portugali, këtë herë ndaj kombëtares vendase.

Bjelorusi – Shqipëri, 90-50 (21-16, 24-7, 23-20, 22-7)

Lajme të tjera

Lajmet e fundit