Eliminatoret e play off-it, Tirana dhe Partizani e nisin me fitore

9 Prill 2019
18:39
Telesport
back button

Janë luajtur sot pasdite në kryeqytet dy ndeshjet e para eliminatore të play off-it në volejboll për femra. Siç dihet, Mirdita dhe Barleti Volley janë kualifikuar direkt në fazën gjysmëfinale, ndërsa për dy vendet e tjera bosh luhet një fazë eliminatore, mes ekipeve të renditura në vendet 3-6 në përfundim të sezonit të rregullt.

Në “Fahrie Hoti”, skuadra e Tiranës mundi 3-1 Teutën, një ndeshje në përgjithësi e komanduar nga volejbollistet bardheblu. Kryeqytetaset fitojnë dy setet e para, por durrsaket reagojnë dhe hapin ndeshjen duke fituar setin e tretë. Gjithsesi, vrulli i Teutës ndalet këtu, pasi Tirana fiton setin e katërt dhe mbyll shpejt hesapet.

Pa probleme fiton Partizani, që mundi në “Asllan Rusi” skuadrën e Vllaznisë me rezultatin 3-0 (ndeshja u transmetua nga TELESPORT). Një fitore e lehtë e skuadrës kryeqytetase, ndjeshëm më superiore në fushë, duke u hakmarrë për humbjen në kampionat pak kohë më parë. Të trija setet u dominuan nga Partizani, që e ktheu këtë sfidë një stërvitore dhe zbriti me këmbë në tokë Vllazninë, që nuk humbiste prej një muaji.

Si Tirana ashtu dhe Partizani udhëheqin 1-0 me ndeshje, ndërkohë që më 12 prill luhen takimet e kthimit, respektivisht në Durrës dhe Shkodër. Ndërsa të mërkurën pasdite do të luhen eliminatoret e para për meshkuj. Po sot u luajta edhe ndeshja e play out për femra, ku Skënderbeu mundi në Korçë 3-0 Elbasanin. Kjo përballje është për të përcaktuar ekipin që do të luajë në Grupin A1 sezonin tjetër.

Volejboll – Femra, eliminatore play off

Tirana – Teuta, 3-1 (25-23, 25-17, 18-25, 25-15)

Partizani – Vllaznia, 3-0 (25-19, 25-12, 25-14)

Volejboll – Femra, play out

Skënderbeu – Elbasani 3-0 (25-12, 25-14, 25-16)

Lajme të tjera

Lajmet e fundit