Elvis Presley? Jo! Elvis Rexhbecaj! Rekordi i talentit prizrenas në Bundesliga (VIDEO)

20 Janar 2019
21:25
Anton Cicani
back button

Kur Gianni de Biasi mbërriti në kombëtaren e Shqipërisë, u deshën 2 vite me udhëtime dhe sidomos vëzhgime e takime futbollistësh nga familje emigrantësh shqiptarë për të pasuruar dhe nisur një cikël të ri te kuqezinjtë. Tashmë, ajo detyrë e vështirë i takon pasuesit të tij, Christian Panucci, që gjithashtu mban në axhendë shumë emra, por me një problem më madhor: konkurrenca me federatën kosovare të futbollit.

Pikërisht futbollistët kosovarë ose që kanë rrënjë nga Kosova janë ndër më të talentuarit dhe duke qenë kombëtarja e Dardanëve në një moment historik dhe në rritje të vijueshme, sigurisht që zgjedhja e tyre përpara kuqezinjve është kthyer në diçka "automatike".

Një tjetër emër, së shpejti, mund t'i bashkohet grupit të Challandes. Quhet Elvis Rexhbecaj dhe është vetëm 21 vjeç, por menjëherë ka vendosur një rekord kurioz në kampionatin elitar gjerman, Bundesliga. Rexhbecaj ka gjetur golin e parë dhe historik në Bundesliga. Talenti i Wolfsburgut, që në moshë të re, vetëm 16 vjeç, do të kalonte nga Brandenburg SC South, pra ekipi i të rinje, te Akademia e Ujqërve, ndër më të famshmet në Gjermani, tashmë është rritur. Pasi ka luajtur për disa vite me të rinjtë dhe Wolfsburg II, këtë sezon është bërë pjesë e ekipit të parë.

Një histori e ngjashme me shumë familje shqiptarësh në Kosovë, që emigruan shkak lufta. Rexhbecaj ka lindur në afërsi të Prizrenit dhe është rritur në Gjermani. Në sfidën e luajtur ditën e dielë, përballë Schalke 04, ka realizuar në minutën e 20-të, por komentatori gjerman ka thënë edhe një tjetër kuriozitet.

Rexhbecaj është bërë futbollisti i parë në Bundesligë që shënon me emrin… Elvis. Sigurisht, nuk e dimë nëse i ati i tij apo e ëma janë fanse të ish-ikonës së muzikës Rock and Roll, ose ndryshe "Mbreti" i kësaj rryme, Elvis Presley, por interesant është fakti se tashmë Rexhbecaj nuk është më i panjohur për Gjermaninë. Wolfsburgu e mban fort, Kosova e ndjek dhe Panuçi ndoshta e ka në axhendë. Ishte ndeshja e 12-të në këtë sezon, por goli mund të jetë kartvizita më e bukur.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit