Emery harron finalen e Europa League, zbarkon në Spanjë për të ndjekur blerjen e re

18 Maj 2019
19:50
Telesport
back button

Edhe pse ka ende për të luajtur ndeshjen e tij më të rëndësishme të sezonit, atë të finales së Europa League ndaj Chelsea, trajneri i Arsenal, Unai Emery është duke menduar për sezonin e ri. Trajneri spanjoll është “kapur mat” sot në Spanjë, duke parë ndeshjen e La Liga midis Levante dhe Atletico Madrid.

Sipas të përditshmes britanike “The Mirror”, Unai Emery ishte me një mision të veçantë, për të ndjekur nga afër mesfushorin ganez Thomas Partey. 25-vjeçari ka një kontratë deri në vitin 2023 me Atletico, por ka edhe një klauzolë me vlerën e 50 milionë euro për t’u larguar.

Skuadra e Arsenal është gati ta paguajë këtë shumë për të sjellë lojtarin në Premier League, ku pritet të zërë vendin e Aaron Ramsey. Në këtë ndeshje Partey luajti vetëm 45 minuta, pasi u zëvendësua në pjesën e dytë. Gjithsesi, Emery ka marrë informacionin e nevojshëm dhe pritet që javën e ardhshme drejtuesit e Arsenal të takohen me ata të Atletico për të nisur bisedimet për këtë transferim.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit