EPOKË E RE TE VLLAZNIA/ Flet presidenti Xhaferi: Nuk bëj premtime, puna ime do të flasë! Sot nis një kapitull i ri

9 Korrik 2020
16:02
Anton Cicani
back button

Në luftë me kohën, por edhe me situatën aspak të kënaqshme që po kalon tashmë prej vitesh Vllaznia, qoftë juridikisht, ashtu edhe teknikisht në fushë, biznesmeni Alban Xhaferi më në fund ka marrë “ok” e Bashkisë së Shkodrës për t’u bërë pjesë e partneritetit në klub.

E priste e gjithë populli shkodran, tifozeria, por edhe ambjenti në vetëvete, për t’i dhënë atë shkëndijë që i mungon, natyrisht sidomos tani që sezoni është kompromentuar dhe rrezikohet një tjetër katastrofë. Sot u firmos kontrata dypalëshe për partneritet dhe bashkëpunim, por rruga është shtruar që nesër të vijë privatizimi dhe kalimi në shoqëri aksionere.

Xhaferi ka folur për Telesport duke shpjeguar gjithçka…

– Mund ta quajmë një ditë të rëndësishme për klubin e Vllaznisë dhe sportdashësit shkodranë?

– Sigurisht! Kam 3 muaj që punoj në këtë drejtim dhe të them të drjtën falënderoj edhe Bashkinë e Shkodrës për frymën e bashkëpunimit në një situatë aspak të lehtë.

– Pse përdorni termin “aspak e lehtë”?

– Pasi siç e dimë, partneriteti është vetëm një hap i parë, ose më saktë, mundësia që të përfshihemi në projektin “Vllaznia”, por juridikisht jemi në kuadrin e sponsorizimit, duke pritur që së shpejti të vijë edhe ligji për privatizim, që do të ketë pika më favorizuese për të arritur te Shoqëria Aksionere, siç është edhe modeli ideal. Aktualisht ligji nuk na lejonte më shumë se sa kjo kontratë që kemi firmosur bashkë me kryetaren e Bashkisë së Shkodrës, zonjën Voltana Ademi.

– Mund të themi se tani Vllaznia ka president?

– Po, mund ta themi! Edhe pse, natyrisht, president është një fjalë që në Shqipëri përdoret pa kriter ose është thjeshtë titull honorifik në SH.A (shoqëri aksionere). Megjithatë, nga sot do të jem pjesë e Vllaznisë dhe do ta ndjek në çdo moment, duke kontribuar edhe financiarisht por edhe në organizimin e çdo sektori.

– Megjithatë, rruga nis menjëherë në malore, duke parë luftën për mbijetesë?

– E vërtetë. Kam programuar edhe një mbledhje me skuadrën, stafin teknik dhe çdo funksionar, por kjo do të zhvillohet pas ndeshjes që Vllaznia do të luajë ndaj Skënderbeut, një transfertë e vështirë në Korçë.

– Tifozi shkodran është shumë i zhgënjyer, ndaj ka nevojë për një fjalë të mirë, një premtim ose diçka më shumë, pasi edhe në të kaluarën ka pasur raste partneriteti që nuk kanë funksionuar?

– Tifozi ka të drejtë të jetë skeptik, ndodh kudo! Ajo që mund të premtoj është dëshira e mirë për të shpëtuar Vllazninë dhe për ta nxjerrë nga kjo qorsokakë ku është futur. Do të bëjmë më të mirën tonë, si financiarisht duke ndihmuar edhe Bashkinë për të rritur buxhetin, ashtu edhe në organizim. Duhet kohë, siç e thashë, pasi ky është hapi i parë, por ishte e vetmja mënyrë për të qenë pjesë e Vllaznisë.

– Do të ketë premio për ekipin për këto ndeshje të mbetura?

– (qesh) Të shohim, të shohim… Rëndësi ka që të kuptohet se Vllaznia nuk mund të luftojë më për mbijetesë dhe sidomos që të sigurojmë mbijetesën këtë sezon, pasi një tjetër disfatë do të ishte tragjike për qytetin, mua personalisht dhe këdo që është i lidhur me këtë klub historik.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit