Një gol, një asist për Lautaro Martinez dhe një penallti në fitoren 4-0 ndaj Fiorentinës, para pushimit ndërkombëtar. Më pas Marcus Thuram vendosi ta shjijonte maksimalisht derbin e parë të Milanos me një paraqitje madhështore, duke realizuar një super gol. Sulmuesi francez nuk mund ta kishte nisur më mirë aventurën e tij me zikaltrit.
Trashëgimia është e rëndë për “djalin e artit”, i cili, sipas tij, mund të kishte mbërritur tek Interi dy vite më parë. Ai zbarkoi kësaj vere për të zënë vendin e Dzekos dhe për të bërë të harrohet tradhtari i madh, Lukaku. Francezi po i bën shumë mirë detyrat.
Mirëkuptimi me Lautaron rritet nga ndeshja në ndeshje, ashtu si edhe personaliteti i tij. Me këmbët e tij të gjata arrin topa që duken të pakapshëm, asiston dhe shënon gola të bukur. Tashmë ai ka fituar zemrat e tifozëve zikaltër, të cilët i falënderon.
“Mbështetja nga tifozët është e pabesueshme dhe më pas ‘San Siro’ është i jashtëzakonshëm, – tha Thuram për ‘Inter TV’. – Shpresoj të vazhdoj kështu, punoj çdo ditë për t’u bërë edhe më i fortë. Tani kemi një ndeshje të vështirë në Ligën e Kampionëve, duhet të qëndrojmë të fokusuar”.
Dhe përsëri, për Dazn, pas derbit: “Shpresoja të isha kaq i mprehtë menjëherë. Interi është një ekip i madh, shpresoj të mund ta jap kontributin tim maksimal. Është e lehtë të luash me Lautaron, sepse ai e kupton mirë lojën, di si të krijojë hapësira”.
“Thuram i papërmbajtshëm”, – ishte titulli i “L’Equipe”, që kujtonte episodin kurioz të tri viteve më parë, përpara ndeshjes së Ligës së Kampionëve ndërmjet Interit dhe Borussia Mönchengladbach, kur u ndalua nga një stjuard jashtë “San Siros” (“Më falni, a keni një ID?”) dhe u detyrua të kërkonte emrin e vet në Google për t’i treguar se cili ishte. Kohë shumë të largëta, tani të gjithë e njohin fytyrën e tij. Edhe urinë për gola.