Eriksen mahnit trajnerin Conte, ndër më të mirët në testet fizike

4 Qershor 2020
10:34
Alfred Lleshi
back button

“Kolaudimi” ka nisur. Pas tetë ditësh stërvitje, në rastin më të mirë, Interi do të rikthehet në fushë. Ndeshja e pare, pas rifillimit të sezonit, do të jetë në “San Paolo”, kundër Napolit në Kupën e Italisë. Midis protagonistëve të asaj transferte do të jetë edhe Christian Eriksen, pasi ka kaluar dy muaj (aktiv) më pak të lehtë sesa pritej në një ekip të ri dhe në një mjedis, që akoma nuk e njeh plotësisht. Megjithatë, tani “kartat” kanë ndryshuar.

Sipas raporteve të “Gazzetta dello Sport”, danezi i lindur më 1992 ishte ndër më të mirët në këto javë të para të stërvitjes. Ai, Lukaku, Barella dhe Sensi kanë regjistruar rezultatet më të mira në testet fizike, të bëra në Pinetina. Një shkëlqim në stërvitje, çka danezi do të duhet të pasqyrojë edhe në ndeshje. Në “San Paolo”, gjatë debutimit të dytë sezonal të zikaltërve, ai mund të ketë fanellë titullari.

Conte këto ditë po e provon si “regjisor” të modulit 3-5-2, me “licencën” për të patrulluar tërë fushën dhe për të vepruar si sulmues i maskuar, prapa Lautaro dhe Lukaku, dueti ofensiv nga i cili do t’i rinisë përsëri Interi. Këtë herë, megjithatë, në krahasim me 4-5 muaj më parë, ekziston edhe një Eriksen shtesë, sidomos fizikisht, që Conte mund t’i besojë. Nuk po flasim më për danezin e pasigurt, si në lojërat e para në Itali, por një lojtar që ka gjetur “smaltin” e kohëve në Londër. Ai mezi pret për ta provuar veten në fushë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit