Ernest Gjoka i befason të gjithë, ja ku e dërgon Kamzën për stërvitje (video)

12 Janar 2019
13:27
Alfred Lleshi
back button

Nuk ka mundësi financiare për të shkuar në Antalia, si Partizani dhe Kukësi, apo në ndonjë vend tjetër të huaj, por Durrësin e ka afër. Jo për të bërë plazh atje, por për të "kalitur" këmbët në rërë. Kamza po i karikon më së miri bateritë për vazhdimin e sezonit futbollistik.

Me ardhjen në stol të trajnerit Errnest Gjoka, skuadra fnga periferia e kryeqytetit ka ndryshuar fytyrë. Ka marrë disa rezultate pozitive, edhe pse zona e ftohtë e mbijetesës mbetet rrezik serioz. Duke qenë se është hapur merkatoja dimërore, drejtuesit e klubit kanë bërë lëvizjet e mundshme. Ka pasur largime dhe afrime, sigurisht të “bekuara” nga trajneri Gjoka. 

Ky i fundit kërkon një skuadër sipas filozofisë së tij të të luajturit, ndaj ka bërë lëvizjet në aspektin taktik, por edhe të përbërjes së grupit. Kuptohet, sa e lejojnë mundësitë, sepse Kamza nuk ka financa për të bërë mrekulli, aq më tepër tani në janar, kur lojtarët e lirë nuk është se kanë “valenca” kush e di se çfarë në planin profesional. 

Megjithatë, theksi po i vihet përgatitjes fizike të lojtarëve. Për këtë, Gjoka po ndërthur seancat stërvitore në fushën e blertë, me bar sintetik, por edhe në terrene të tjera. Së fundi i ka befasuar të gjithë, duke i dërguar të tijtë në breg të detit të Durrësit, për të kryer ushtrime të shumëllojshme, që kanë për synim “kalitjen” fizike në këtë përgatitore dimri. 

Kuptohet, lojtarët duhet të shpenzojnë më shumë energji në këto ushtrime, sepse duhet të sfidojnë edhe disa ligje fizike në kushte të tilla. Por, “menuja” e Gjokës shkon në drejtim të asaj që e pret skuadrën e tij, një luftë e fortë sportive kundër çdo kundërshtari, një misioni të vështirë për të mbijetuar në Superiore. Pa një “karburant” të tillë, vështirë që “motorët” e kamzalinjve të punojnë mirë dhe pa i zhbilancuar “xhirot” deri në fund të majit.

Ndërkaq, mesjavën e ardhshme Kamza do të luajë edhe një ndeshje miqësore në Durrës, për të testuar sërish formacionin me ndryshimet e janarit.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit