Erzeni hakmerret ndaj Vllaznisë, humbja e parë në kampionat për shkodranët

9 Shkurt 2019
21:09
Telesport
back button

Erzeni kampion në volejboll për meshkuj mundi 3-1 Vllazninë në ndeshjen e javës së 11-të të Kampionatit Kombëtar luajtur në Durrës. Kjo është humbja e parë për shkodranët në kampionat, që detyrohen të lëshojnë edhe kreun, aty ku qëndron i vetëm ekipi shijakas. Të dyja ekipet dueluan fort për 3 sete, ku loja ishte mjaft e bukur dhe spektakolare.

Nga ndeshja Skenderbeu-Tirana

Erzeni fiton setin e parë, por Vllaznia replikon duke fituar të dytin, ndërkohë që emocionet vijojnë edhe në setin e tretë, fituar sërish nga shijakasit. Më pas Vllaznia venitet dhe nuk është më në gjendje të rivalizojë, ndërsa Erzeni merr komandën, duke u shkëputur dhe fiton thelle 25-13. Fitore e rëndësishme për shijakasit, që hakmerren për humbjen e fazës së parë dhe marrin 3 pikë ndaj një rivali direkt për titull.

Studenti rikthehet të luajë në kampionat pas një jave i pezulluar për mospagesë të detyrimeve financiare dhe e nis 2019-ën me një fitore në fushë. Ekipi kryeqytetas mundi 3-1 në “Asllan Rusi” Elbasanin, një ndeshje që nisi mirë për miqtë, që fituan 27-25 setin e parë.

Gjithsesi, më tej është Studenti ai që ka komandën e lojës edhe pse vuan shumë për të përmbysur shifrat. Elbasani rivalizon, por nuk ka forcën për të ndalur Studentin, që korr suksesin e 4-t në kampionat.

Nga ndeshja Studenti-Elbasani

Një fitore të vështirë korri Tirana, që mundi 3-2 në Korçë ekipin e Skënderbeut. Vendasit kaluan dy herë në epërsi, por pa mundur ta fitojnë ndeshjen. Bardheblutë e Kojës rikuperojnë sa herë që gjendjen në disavantazh, duke barazuar 2-2 setet dhe gjithçka vendoset në setin final. Miqtë tregohen më të kujdesshëm në setin e fundit, duke fituar 15-11 dhe marrin dy pikë të arta në renditje, ndërsa Skënderbeu kënaqet me një pikë, që e mban në vendin e katërt.

Në “Fahrie Hoti” fitoi mbrëmjen e sotme edhe Farka Volley, që mundi 3-0 Teutën, në një ndeshje me rivalitet vetëm në setin e parë. Miqtë nga Durrësi tentojnë të befasojnë kryeqytetasit, por pa sukses, duke regjistruar një tjetër humbje dhe mbyllin renditjen ende pa asnjë pikë.

Volejboll – Meshkuj, java e 11-të (9 shkurt)

Skënderbeu – Tirana, 2-3 (25-22, 19-25, 25-20, 22-25, 11-15)

Studenti – Elbasani, 3-1 (25-27, 25-21, 25-21, 25-18)

Farka Volley – Teuta, 3-0 (25-21, 25-18, 25-19)

Erzeni – Vllaznia, 3-1 (25-20, 22-25, 25-22, 25-13)

Partizani (pushim)

Renditja: Erzeni 28 pikë (9/1), Vllaznia 25 pikë (9/1), Tirana 23 pikë (8/2), Skënderbeu 19 pikë (6/4), Partizani 13 pikë (4/5), Studenti 12 pikë (4/6), Farka Volley 8 pikë (3/7), Elbasani 4 pikë (1/9), Teuta 0 pikë (0/9).

Lajme të tjera

Lajmet e fundit