Volejboll

Erzeni kampion humbet në Shkodër, Tirana e Vllaznia kryesojnë kampionatin

Janë luajtur sot pasdite ndeshjet e javës së dytë të Kampionatit Kombëtar në Volejboll për meshkuj, një javë e cila ka dhuruar mjaft surpriza. Skuadra kampione e Erzenit është mundur në Shkodër nga Vllaznia. Falë këtij suksesi, skuadra shkodrane udhëheq renditjen së bashku me Tiranën, me nga 5 pikë secila. Fitoret e para në kampionat korrin edhe Studenti e Farka Volley.

Vllaznia ka fituar 3-2 ndaj Erzenit kampion në fuqi në Shkodër, ndeshje që mund të ishte fituar edhe më lehtësisht nga vendasit, që shpërdoruan një avantazh të dyfishtë. Shkodranët udhëheqin 2-0 me sete, por gabojnë atëherë kur nuk pritej, duke i dhënë mundësi ekipit shijakas të rikuperojë 2-2 dhe gjithçka vendoset në setin final. Këtu është sërish Vllaznia që dominon dhe fiton 15-11 e krejt ndeshjen 3-2.

Nga ndeshja Teuta-Farka Volley, 0-3

Vllaznia ka 5 pikë pas dy javëve të para, po aq sa edhe Tirana, që mundi po 3-2 Skënderbeun në “Fahrie Hoti”. Ndonëse pritej një fitore e lehtë e bardhebluve, fusha konfirmoi të kundërtën, pasi miqtë nga Korça rivalizuan fort deri në fund. Kryeqytetasit kaluan dy herë në avantazh dhe po dy herë u arritën nga miqtë, që u detyruan të pranojnë humbjen vetëm në setin final, fituar 15-10 nga Tirana, ende e pathyeshme këtë sezon.

Farka Volley arriti një fitore të lehtë në Durrës ndaj Teutës me rezultatin 3-0, ndeshje me dominuar nga volejbollistët kryeqytetas, që në të trija setet patën epërsi në fushë. Teuta, ashtu si edhe vjet, ka një ekip të ri e pa përvojë, duke mos rivalizuar , ndaj dhe 3 pikët e Farkës ishin të merituara. Suksesin e parë sezonal korri edhe Studenti, që mundi 3-1 Elbasanin në fushën e këtij të fundit, një përballje me rivalitet dhe emocione. Edhe pse miqtë fituan me lehtësi setin e parë, më tej loja bëhet interesante dhe Elbasani tentoi të befasojë, por u mjaftua vetëm me një set të fituar, duke dalë nga fusha pa pikë.

Volejboll – Meshkuj, java e dytë (6 tetor)

Tirana – Skënderbeu,  3-2 (25-14, 20-25, 25-19, 21-25, 15-10)

Vllaznia – Erzeni, 3-2 (25-22, 25-19, 19-25, 18-25, 15-11)

Teuta – Farka Volley, 0-3 (21-25, 15-25, 19-25)

Elbasani – Studenti, 1-3 (13-25, 25-27, 25-21, 12-25)

Partizani (pushim)

Renditja: Tirana 5 pikë (2/0), Vllaznia 5 pikë (2/0), Erzeni 4 pikë (1/1), Skënderbeu 4 pikë (1/1), Farka Volley 3 pikë (1/1), Studenti 3 pikë (1/1), Partizani 0 pikë (0/1), Teuta 0 pikë (0/1), Elbasani 0 pikë (0/2).

Më shumë nga Volejboll