Eshtë i fundit, por Lerda i druhet Flamurtarit: Kujdes, ka sulmues ekspertë!

9 Nëntor 2019
13:44
Alfred Lleshi

Partizani kryeson Superioren për momentin. Kampionët kanë synim ta mbrojnë kurorën medoemos, gjë që kalon nga ballafaqime të rëndësishme, javë pas jave. E tillë do të jetë edhe transferta e ditës së nesërme në Vlorë, pavarësisht se aty i pret skuadra e vendit të fundit. E megjithatë, po flasim për Flamurtarin, një emër të madh, të cilin e vlerëson edhe trajneri italian, Franco Lerda. Sidomos në sulmin kuqezi, kreu i pankinës së Partizanit shikon cilësi dhe rrezik ndëshkimi për të tijtë. Në konferencën e sotme për shtyp, Lerda do të nënvizonte mes të tjerash:

“Djemtë e dinë rëndësinë e kësaj ndeshjes. Eshtë e vërtetë se kur përballet skuadra e vendit të parë me atë të fundit, rrezikohet të ketë nënvlerësim. Ne e respektojmë kundërshtarin, por do të hyjmë në fushë për të marrë maksimumin nga kjo ndeshje. Një këshillë kam për lojtarët e mi: asnjë nënvlerësim, të bëjmë më të mirën! Rezultatin le t’ia lëmë fushës së lojës, do të varet nga episodet e ndryshme dhe gjëra të tjera.

E kemi studiuar kundërshtarin. Në ndeshjen e fazës së parë fituam në inferioritet numerik ndaj Flamurtarit, pasi kishim mbetur me 10 lojtarë. E pashë në ndeshjen me Kukësin, ku nuk e meritonte humbjen. Zhvilluan një lojë të mirë. Kanë lojtarë ekspertë në sulm dhe me eksperiencë. Duhet të mos iu lejojmë hapësira për të na goditur. A ka nisur shkëputja në krye? Momenti për ne është që të marrim maksimumin në ndeshjen e radhës. Ky është moment dhe objektivi ynë. Duhet të fokusohemi vetëm te 3 pikët e radhës.

Formacioni? Kemi pasur një javë stërvitje, i kam parë lojtarët përditë dhe në bazë të formës së secilit do të vendos. Kush është më gati ka për të luajtur. Stërvitjet janë banka e provës për lojtarët dhe formacionin. Këtë javë kemi punuar në fushë sintetike dhe nuk kemi pasur problem prej shiut. Më kanë thënë që nesër në Vlorë, fusha do të jetë e mirë. Shpresoj të jetë vërtet kështu, edhe kushtet atmosferike të jenë të mira. Këto dy detaje do të na mundësonin një lojë të mirë në aspektin teknik.

Flamurtari si Luftëtari, të fundit? Nuk mund ta them këtë, çdo skuadër ka karakteristikat e veta në bazë të lojtarëve dhe trajnerit. Nuk ka skuadra të njëjta, ka situata të ndryshme. Me të tilla skuadra është shumë e vështirë derisa shënon golin e parë. Kur shënon, bëhet më e lehtë. E provuam edhe ndaj Luftëtarit. Duhet ta vlerësojmë maksimalisht kundërshtarin, jo nga pozita në klasifikim. Duhet impenjim maksimal për ta zhbllokuar ndeshjen dhe për ta menaxhuar. Këto janë ndeshje delikate. 

Ky kampionat është ndryshe nga të tjerët, nëse e krahasojmë me Italinë. Nuk ka diferenca. Duhet të respektojmë veten dhe kështu respektojmë edhe kundërshtarin. Përballjet e vendit të parë me të fundit janë përherë delikate. Situata e Solomon? Nuk kemi të reja, po kryen terapi. Për momentin nuk e di se kur do të rikthehet, pas tre javësh, një, apo dy. Do ta shohim hap pas hapi. Edhe Kote ka pasur probleme me gjurin, kurse Hakaj ka një ftohje. Ata do të bashkohen me skuadrën kur të jenë gati”.

Standings provided by Sofascore LiveScore

Lajme të tjera

Lajmet e fundit