“Është Salah ose Mbappe i ynë”, Tuchel: Garanton diçka unike, por…

20 Maj 2022
12:27
Denis Hakanaj
back button

Pas barazimit të marrë në kampionat kundër Leicester, trajneri i Chelsea-t, Thomas Tuchel, ka folur në konferencë për shtyp në lidhje me ndeshjen, por mbi të gjitha për lojtarët.

Në mënyrë të veçantë, trajneri gjerman është ndalur te N’Golo Kante, i cili është kthyer titullar pas problemeve fizike që ka patur kohët e fundit.

“Mendoj se është lojtari ynë kyç. Por lojtarët kyç duhet të jenë në fushë dhe ai luan vetëm 40% të ndeshjeve”, ka nënvizuar Tuchel duke vënë në dukje problemet fizike që ka patur Kante në muajt e fundit.

“Është Salah, Van Dijk ose Mbappe i ynë. Është një fakt që na ka munguar shumë, garanton diçka unike në futbollin botëror. Është një nga mesfushorët më të mirë në botë.

“Nuk është në qendër të vëmendjes së mediave dhe kjo e bën akoma më të rëndësishëm për skuadrën. Ka mentalitetin e një punëtori të madh dhe kjo bën diferencën. Skuadrat e mëdha kanë nevojë për lojtarë të tillë. Kjo është arsyeja pse të gjithë duan të luajnë me të”.

Në fakt, siç ka theksuar Goal, mesfushori francez ka koleksionuar në këtë sezon 25 ndeshje nga 37 në Premier League, pa patur një vazhdimësi të vërtetë për shkak të dëmtimeve.

Edhe në sezonet e mëparshme situata ka qenë e njëjtë. I vetmi përjashtim ka qenë viti i kaluar, kur ai ka luajtur 30 ndeshje në kampionat dhe të gjitha ndeshjet në Champions, me Chelsea-n që ka fituar gjithçka.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit