Eto’o: Jam i dashuruar me Guardiolën si trajner, por jo si njeri

8 Tetor 2019
12:25
Alfred Lleshi
back button

Samuel Eto’o foli nga Doha për të ardhmen e tij të afërt, pas lënies së futbollit, por u ndal edhe te trajnerët që ka pasur në karrierë: “Për t’u bërë trajner, unë e di se duhet të studioj. Ideja e të stërviturit të një ekipi është në kokën time, por ende duhet të vendos. Kur Mourinho tha kohët e fundit se do të bëhem një trajner i mirë, u gëzova, por realiteti është se jo të gjithë lojtarët e shkëlqyer ia dalin në këtë profesion. Gjithashtu, nëse vendos t’i hyj kësaj pune, do të më duhet të flas së pari me gruan time”.

Po cili është trajneri i tij i preferuar? “Nëse duhet të zgjedh, ai është Luis Aragonés, sepse ndryshoi jetën time. Biseda në zyrën e tij, në Mallorca, e ndryshoi krejtësisht jetën time si futbollist. Ai më thirri dhe më tha: Samuel, ju keni bërë gjithçka në Mallorca këto vite. Unë mendoj se ka ardhur koha të shkosh në një klub të madh dhe ta mësojnë të gjithë se cili është në të vërtetë niveli juaj si futbollist. Fillimisht, mendova me veten: Çfarë po më thotë ky plak… Ai pa tek unë gjëra, që të tjerët nuk i pikasën asokohe. Luis ishte unik, dinte të drejtonte me personalitet. Ishte si një baba për mua. Nëse i hyj trajningut, do të ishte nder i madh të bëhesha si ai’, – përgjigjet kamerunasi.

Më tej, Eto’o tregon edhe dallimet midis të qenit trajner dhe futbollist: “Ne e dimë mirë se çfarë kemi bërë si lojtarë. Jemi thelbësisht egoistë. Çdo ditë kishim probleme, sepse mendojmë vetëm për veten tonë. Por, kur jeni kapiten, ose trajner, duhet të mendoni ndryshe. Ju duhet të gjeni fjalët e duhura për t’i motivuar lojtarët dhe marrë rezultate”.

Disa fjalë edhe për marrëdhënien e tij me Pep Guardiolën: “Ne duhet të përfitojmë më të mirat nga secili trajner, por futbolli në fund të fundit përbëhet edhe nga opinionet e secilit. Vjen një kohë kur duhet të themi fjalën tonë. Unë jam i dashuruar me Guardiolën si trajner, por jo si njeri. Ai si trajner më ka dhënë më të mirën, me të vërtetë kam mësuar të luaj futboll me Guardiolën. E interpreton futbollin më mirë se asnjë tjetër. Eshtë mënyra e tij e transmetimit të informacionit te lojtarët, që e bën të ndryshëm nga të tjerët”.

Po marrëdhënia e kamerunasit me Mourinho? Samuel Eto’o shpjegohet: “Më e keqja është mosrespektimi i dikujt. Trajnerët më të mirë janë ata që m’i kanë thënë gjërat më të vështira në fytyrë, por në një zyrë. Më dhemb kur një trajner nuk di si ta menaxhojë këtë pjesë dhe ka shumë. Mourinho më la në pankinë për një muaj dhe filloi të më ngrohte (nxori në nxehje) në minutën e 89-të. Pas një kohe, shkova për të biseduar në zyrën e tij dhe folëm hapur. Ai më tha: Epo, tani kam lojtarin që dua. Pas kësaj, gjithçka kaloi mirë mes nesh. Unë gjithmonë kam dashur të m’i thonë gjërat në fytyrë, me respekt, qoftë edhe duke debatuar”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit