Tërmeti i forte, Berisha rrëfen tmerrin e familjarëve dhe miqve në Durrës

27 Nëntor 2019
19:42
back button

Portieri i Shqipërisë, Etrit Berisha, në një prononcim për mediat italiane, më konkretisht për “AdnKronos”, ka rrëfyer eksperiencën që një mik i ka treguar, duke qenë se ishte ndodhur në Durrës mëngjesin e datës 25 nëntor, kur edhe tërmeti i fortë 6,4 ballë goditi Shqipërinë dhe pikërisht atë rajon.

 “Tërmeti që ka goditur Shqipërinë është një tragjedi e madhe, sepse lëkundjet vetëm vazhdojnë, nuk ndalojnë. Populli është i frikësuar nga kjo situatë, dhe e keqja është se ato vazhdojnë. Ndihma po vjen nga të gjitha anët, dhe në veçanti populli kosovar po ndihmon shumë. Ata kanë filluar të marrin në shtëpitë e tyre shumë shqiptarë që janë prekur nga tërmeti,” theksoi Berisha.

Por edhe në Itali, klubet e Serisë A kanë nisur solidarizimin, e para Lacio. “Në këtë situatë kaq të vështirë, ky gjest është shumë i bukur. Gjithashtu edhe Lacio ka qenë gjithmonë afër këtyre situatave. Ata kanë filluar të mbledhin fonde dhe me këtë gjest kanë treguar se janë një klub i madh dhe një ekip që gjithmonë është i gatshëm të ndihmojë”.

Berisha rrëfen sesi e kanë përjetuar të njohurit e tij tërmetin. “Kam folur me miq në Durrës dhe më kanë thënë se kishte lëkundje për 30 sekonda, të cilat dukeshin se nuk do të mbaronin kurrë. Edhe familjarët e mi që ndodhen në Prishtinë i kanë ndjerë lëkundjet dhe dolën në rrugë natën duke qëndruar në makina, për të qenë më të sigurt”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit