“Euroderby” milanez në Champions? Marotta: Më mirë takohemi në finale. Scaroni: Ngjarje globale…

16 Mars 2023
12:18
Alfred Lleshi
back button

Do të jetë shorti i Nyonit (nesër në orën 12:00), ai që do të caktojë çiftet çerekfinaliste të Ligës së Kampionëve. Tashmë ekziston mundësia e një “Euroderby” milanez në Champions, gjë që ka filluar të ngarkojë (ose të trembë) tifozët zikakltër dhe kuqezinj. Për këtë folën edhe dy drejtues të lartë të klubeve milaneze, duke imagjinuar një ngjarje të nivelit më të lartë.

“Do të ishte magjepsëse, emocionuese, ndjellëse. Të gjithë do të flisnin për të, do të kishte një ekspozitë botërore, në Milano nuk do të flisnin për asgjë tjetër. Pastaj, do të ishte më mirë që ky derbi të luhej në Stamboll… E kam fjalën për finale. Kjo do të ishte historike. Epo, do të doja t’i thoja Milanit: shihemi në finale”, – nënvizoi Giuseppe Marotta, drejtor sportiv i Interit.

Kësaj mundësie hipotetike i bën jehonë edhe Paolo Scaroni, presidenti i Milanit, i cili shfrytëzon rastin për të prekur një temë të dashur për të dyja klubet: “Padyshim një ‘Euroderby’ do të ishte ngjarje mediatike globale. Do të thoshte shumë për Milanon, i vetmi qytet evropian që ka dy skuadra në këtë nivel në Champions League. Një shifër që konfirmon gjithashtu nevojën urgjente për pajisjen e dy klubeve me një stadium të ri, për të vazhduar konkurrencën në nivel ndërkombëtar”.

Megjithatë, presidenti kuqezi nuk do të përçmonte një lloj tjetër shorti, i cili do t’i jepte futbollit italian një shans më të mirë për të çuar më shumë skuadra në gjysmëfinale: “Unë do të doja që të tria skuadrat italiane të kishin mundësinë të arrinin në gjysmëfinale. Kjo do të përfaqësonte një sukses të madh për futbollin italian dhe një impuls për rinisje”.

Marotta nënvizoi gjithashtu se si tri skuadrat italiane në çerekfinale të Champions League janë një lajm i mirë për lëvizjen futbollistike italiane: “Më e rëndësishme, megjithatë, tani është që të kemi rikthyer jo vetëm Interin, por futbollin italian ku e meriton të qëndrojë.

Pas zbritjes në renditje mungoi ky rikthim me stil të madh. Pas Kampionatit Europian të fituar, rikthimi i klubeve tona në çerekfinale të Ligës së Kampionëve është një gjë e madhe. Turp për zhgenjimin në Kupën e Botës, por kjo prani kompakte në Champions League është një rikuperim për sistemin tonë”.

Precedenti i fundit i një ‘Euroderby’ në Champions League daton në sezonin 2004-2005, pikërisht në çerekfinale. Ndeshja e parë përfundoi 2-0 për Milanin, me golat e Stam dhe Sevechenko, ndërsa në ndeshjen e dytë kuqezinjtë triumfuan me rezultatin 3-0, pas ndërprerjes së ndeshjes për shkak të një fishekzjarri të hedhur nga sektori zikaltër drejt Didës. Milani më pas arriti në finale duke humbur ndaj Liverpool me penallti.

Dy vite para ‘Euroderby’, Milani dhe Interi u përballën përsëri, por në gjysmëfinale. Dy ndeshje shumë të ngushta, dy barazime që shpërblyen sërish kuqezinjtë. Në ndeshjen e parë 0-0, në ndeshjen e kthimit (1-1) golat u shënuan nga Shevchenko dhe Martins. Skuadra e Ancelottit shkoi në finale sipas rregullit të golave ​​si mysafirë. Më pas kuqezinjtë triumfuan në Manchester, me penallti ndaj Juventusit, në një tjetër derbi italian.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit