EUROPA LEAGUE: Arsenal fiton pavarësisht Leno-s, David Luiz rishkruan historinë

22 Tetor 2020
20:52
Denis Hakanaj
back button

Arsenal e ka nisur me një fitore aventurën në Europa League.

Topçinjtë kanë fituar 2-1 në fushën e Rapid Vienna-s dhe kanë marrë tri pikët e para në Grupin B.

Gjithçka ka ndodhur në pjesën e dytë, me austriakët që kanë kaluar në avantazh në minutën e 51-të pas një gafe të portierit Leno.

Që nga fillimi i sezonit 2018-19, vetëm Jordan Pickford (11) dhe David de Gea (9) kanë bërë më shumë gabime që kanë çuar te një gol i pësuar në ndeshjet e luajtura në të gjitha kompeticionet mes portierëve të Premier League.

Pavarësisht kësaj gafe, Arsenal ka arritur të fitojë sfidën falë golave të David Luiz dhe Aubameyang.

Braziliani ka barazuar sfidën në minutën e 70-të dhe është bërë lojtari më i vjetër (33 vjeç e 183 ditë) që shënon për Arsenal-in në një kompeticion të rëndësishëm europian që nga Sol Campbell kundër Porto-s në Champions League në shkurtin e 2010-ës (35 vjeç e 152 ditë).

Arsenal kryeson grupin B bashkë me Molde-n që ka mundur 2-1 Dundalk-un.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit