Federata e Azerbajxhanit ofron 6.000 bileta të tjera për finalen

17 Maj 2019
21:42
Denis Hakanaj
back button

UEFA është turpëruar për shkak të menaxhimit të keq të finales së Europa League dhe pasi Federata Azerbajxhanase e Futbollit ka nxjerrë papritur 6.000 bileta të tjera në shitje. 

Organizata që drejton futbollin europian ka thënë se Arsenal dhe Chelsea do të kishin vetëm 17 për qind të biletave në dispozicion për stadiumin "Olimpic" të Bakut, që ka një kapacitet prej 68 mijë vendesh, për shkak se aeroporti i kryeqytetit nuk mund të përballojë më shumë njerëz.  

Ky pretendim është përgënjeshtruar nga Elkhan Mammadov, sekretari i përgjithshëm i  federatës së Azerbajxhanit, i cili ka bërë të ditur edhe se aeroporti i Bakut mund të presë fluturime të tjera çarter për finalen e 29 majit. 

"Është shumë e rëndësishme për në që sa më shumë tifozë të vijnë për ndeshjen. I bëjmë thirrje të dy ekipeve që të organizojnë fluturime të tjera direkte për ditën e ndeshjes dhe mund të garantoj se aeroporti ynë mund të përballojë 10.000 pasagjerë për orë".  

"Ka pasur një keqkuptim në lidhje me deklaratën e UEFA-s se ne mund të presim vetëm 15.000 vizitorë në ditë. Kjo shifër i referohet vetëm fluturimeve çarter. Nuk përfshin fluturimet e tjera që janë programuar të vijnë në Baku". 

"Ne jemi përgatitur për një kohë të gjatë për këtë eveniment dhe kemi gjetur fluturime të tjera direkte më të lira nga Londra, me kusht që të tifozët të udhëtojnë para ditës së ndeshjes".  

Mammadov ka zbuluar edhe se federata azerbajxhanase ka ruajtur 6.000 bileta të tjera, që tani janë nxjerrë në shitje për ata tifozë që do të bëjnë një kërkesë me email te adresa ticketing@baku2019.az.

UEFA kërkoi falje ditën e enjte për kaosin e krijuar, duke pranuar se udhëtimi prej 4.000 kilometrash i dy skuadrave nga i njëjti qytet ka krijuar disa komplikime, por e ka mbrojtur zgjedhjen e bërë: 

"UEFA beson se është e padrejtë të përjashtohen disa vende për shkak të pozicionit të tyre gjeografik. Ekspertët tanë po punojnë për të gjetur zgjidhje të lira për udhëtimin e tifozëve dhe mirëpret çdo ndihmë që mund të ofrojnë klubet". 

Problemi është se të dy klubet janë në pritje të mësojnë nga UEFA se çfarë ndihme mund të japin. Dhe, teksa bisedat me UEFA-n dhe autoritetet e Azerbajxhanit vazhdojnë, të dy ekipet kanë vështirësi në organizimin e fluturimeve ekstra për tifozët kur kanë mbetur 11 ditë para finales. 

Deri tani, as Arsenal-i dhe as Chelsea nuk i kanë shitur 6.000 biletat që kanë në dispozicion dhe parashikimi është që më pak se gjysma e stadiumit të jetë e mbushur për finalen. 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit