EUROPA LEAGUE: Nga azerët e Essienit te “bekimi” i Pandev për klubin e tij, zbresin në fushë 6 debutues!

11 Korrik 2019
14:14
Anton Cicani
back button

Turi i parë kualifikues i Europa League ka nisur që ditën e martë me tre ndeshje ku ra në sy fitorja e Rangers 4-0 jashtë fushe ndaj St Joseph's, por edhe suksesi i CSKA Sofie me OFK Titograd po me të njëjtin rezultat. Gjithashtu, sukses edhe për Hajduk Split në Maltë.

Ndërkohë, ditën e mërkurë u luajt Jeunesse Esch me Tobol, e përfunduar 0-0. Por, sot është "pjata e fortë" me plot 43 ndeshje, nga të cilat në katër të tilla zbresin ekipet shqiptare në fushë.

Pasditja e ditës së enjte do të hapet me sfidën e Shkupit, në transfertën armene ndaj Pyunik, ndërsa do të vazhdojë më pas me Ventspils-Teuta dhe Laçi-Hapoel Beer Sheva. Kukësi do të zbresë në fushë në orën 19:00 ndaj Debrecen, në Hungari.

Por, sigurisht, që në këtë pasdite ka vend edhe për gjashtë skuadra debutuese në kupat e Europës, mes kurioziteteve dhe personazheve.

Të ndalemi te Sabail FK. Ndoshta, hera e parë që e dëgjoni. E renditur në vend të tretë në sezonin e shkuar në Azerbajxhan, skuadra në fjalë ka vetëm 3 vite që është themeluar, por në përbërjen e saj ka një emër që ka fituar 1 Champions League dhe 4 kampionate, mes Francës dhe Anglisë, duke veshur edhe fanella si ajo e Chelseat, Milanit, Lyon dhe Panathinaikos.

Essien u transferua në mars të këtij viti në Baku, te skuadra në fjalë, tesa 36-vjeçari veç fushës është edhe trajner i ekipit të moshave, pasi në të ardhmen dëshiron të marrë stolin.

Surpriza tjetër quhet Academy Pandev, që fitoi Kupën e Maqedonisë  sezonin e shkuar. Pjesëmarrja e parë në Europë për klubin e themeluar nga ish-interisti Pandev, që pas Tripletës së Famshme, vendosi që të ndërtonte një klub futbolli duke i vendosur mbiemrin e tij dhe duke investuar thuajse 2 mln euro në strukturat e klubit dhe Akademinë. Jo më kot, përbërja është 99% me futbollistë të Maqedonisë së Veriut, me përjashtim të atij 1%: portieri serb, Cubrakovic (34 vjeç).

Fotbal Club Petrocub Hîncești... Një klub futbolli moldav që ka mbi 30 vjet që është themeluar, por që për të parën herë e sheh vetën në Europë, teksa vjen nga një fshat me vetëm 6 mijë banorë, edhe pse ndeshjet i luan në qytetin e Hinçeshtit.

Qëndrojmë në Moldavi, aty CSF Speranța Nisporeni është surpriza e rradhës në Europë. Një qytet me 12 mijë banorë, 70 km larg Kishinaut. Në vitin 2010 ndryshoi emrin, pasi më parë e kishte Clubul Sportiv de Fotbal Speranţa Nisporeni… Shumë i gjatë, vërtet!

E mbani mend ekipin me të cilin Partizani zhvilloi miqësoren e parë në Slloveni? NK Mura! Dikur quhej Nogometno Drustvo Mura 05 në qytetin e Murska Sobotas, por në vitin 2005 falimentoi dhe në vitin 2013 mori një tjetër emër…

Së fundmi, FK Rīgas Futbola Skola… shkurt FK RFS. Dikur ishte pranë Europës, por për diferencë golash ia mori Ventspils. Tani, ëndrra u bë realitet.

Programi i ndeshjeve të sotme

Lajme të tjera

Lajmet e fundit