Europian për t’u harruar për Briken Calja, dështon në shkëputje e nuk garon në shtytje

18 Prill 2023
19:32
Telesport
back button

Europiani i peshëngritjes për të rritur që po zhvillohet në Jerevan të Armenisë ka qenë një dështim për shtangistin shqiptar Briken Calja. Ai garonte për medalje, madje për t’u rikthyer në majën e Europës, por paraqitja e tij ishte larg asaj që pritej. Calja dështoi në të trija provat në stilin e shkëputjes, ndërsa në atë të shtytjes vendosi të mos garojë, duke mos dhënë rezultat.

Stili i shkëputjes është një zhgënjim për peshëngritësin Briken Calja, që nuk realizon asnjë nga provat në dispozicion. Në dy përpjekjet e para ai dështon të ngrejë 151kg, ndërsa në të tretën nuk ngre dot 152kg. Për pasojë, Calja nuk jep rezultat e renditet i fundit në këtë stil. Ndërsa Erkand Qerimaj, që garoi më herët në Baterinë B, në këtë stil u klasifikua i pesti, me 150kg.

Edhe pse deri në fund fansat pritën që Briken Calja të ngjitej sërish në pedanë (deklaroi 186kg), ai nuk garon në stilin e shtytjes, duke u tërhequr pak minuta para se të garonte. Një vendim disi i papritur, pasi shtangisti kuqezi mund të synonte medalje në këtë stil, por në fund vendosi të mos garojë. Në këtë stil, Erkand Qerimaj e mbyll garën në vendin e 11-të (168kg) dhe në të dhjetin në dygarësh (318kg).

Lajme të tjera

Lajmet e fundit