Europiani: Godelli nuk realizon asnjë provë në shkëputje e tërhiqet, Ramadani i shtati

2 Qershor 2022
8:20
Telesport
back button

Europiani i peshëngritjes që po zhvillohet në Tiranë ka qenë një zhgënjim për shtangistin Daniel Godelli, që në pedanë nuk ka dhënë atë që pritej. Ai garoi në peshën 81kg, por konkurrimi i tij u mbyll shumë shpejt.

Në stilin e shkëputjes, Godelli dështoi në të trija provat, duke mos ngritur fillimisht 150kg e më pas dy herë 151kg. Në këtë stil, ai synonte të arrinte zonën e medaljeve, por pa sukses. Për pasojë, ai vendosi të mos garojë fare në stilin e shtytjes, duke u tërhequr nga gara pa asnjë rezultat.

Në këtë peshë garoi edhe Kristi Ramadani. Në stilin e shkëputjes, ai realizoi me sukses vetëm provën e parë, me 138kg. Më pas, dështoi të ngrejë dy herë 141 e 142kg, duke e mbyllur garën në vendin e shtatë.

Edhe në stilin e shtytjes, Ramadani realizoi me sukses vetëm provën e parë, duke ngritur 168kg. Ndërsa në dy përpjekjet e tjera ai nuk arrin të ngrejë 173 e më pas 175kg, duke u renditur i shtati. Këtë pozicion ai mbajti edhe në dygarësh, me 306kg.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit