Në sallën e lojërave me dorë “Feti Borova” në kryeqytet u luajtën ndeshjet eliminatore të Kampionatit Europian U-22 në volejboll për meshkuj, të vlefshme për Grupin F. Në këtë grup, përveç Shqipërisë, ishin edhe Austria e Mali i Zi.
Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Arben Saku i humbën të dyja takimet në grup, duke zënë vendin e fundit dhe u eliminuan nga gara. Në sfidën e parë, atë ndaj Austrisë, Shqipëria u mund 3-0, ndeshje e dominuar e fituar me meritë nga miqtë.
E njëjta situatë edhe në takimin ndaj fqinjëve malazezë, që gjithashtu fituan 3-0, duke lënë kuqezinjtë në fund të grupit. Në këto dy ndeshje, Shqipëria pati mundësi të fitonte nga një set, sidomos ndaj Malit të Zi, por shumë pak për të shpresuar te fitorja.
Austria zuri vendin e parë në grup, pasi mposhti 3-2 Malin e Zi në përballjen direkte dhe avancon më tej. Gjithsesi, për të rinjtë shqiptarë të rrjetës kjo ishte një përvojë e mirë, teksa ky grup lojtarësh nesër do të jenë pjesë e kombëtares së rritur.
Europiani U-22-Grupi F
Shqipëri – Austri, 0-3
(18-25, 16-25, 23-25)
Austri – Mali i Zi, 3-2
(23-25, 25-20, 25-22, 20-25, 15-9)
Shqipëri – Mali i Zi, 0-3
(27-29, 12-25, 18-25)
Renditja: Austria 5 pikë, Mali i Zi 4 pikë, Shqipëria 0 pikë.