Fabregas nuk mban më sekrete: U detyrova të largohesha nga Arsenali!

25 Mars 2020
12:36
Alfred Lleshi
back button

Cesc Fabregas ka zbuluar pse u largua nga Arsenali nëntë vite më parë, duke pranuar se qante pas humbjeve. Ndërkohë, ai përzgjodhi Robin van Persie dhe Samir Nasri si lojtarët e vetëm në nivelin e tij, “mendërisht dhe teknikisht”, në atë kohë tek Arsenali.

Arsene Wenger arriti ta rrëmbejë Fabregas që të ri nga akademia e famshme “La Masia” në Barcelonë, në vitin 2003. Spanjolli u bë lojtari më i ri, që debutoi në ekipin e parë, në historinë e “Topçinjve”, një muaj pas mbërritjes në veri të Londrës. Fabregas luajti 303 ndeshje, në të gjitha garat, për Arsenalin. Sidoqoftë, ishte i paaftë për të frymëzuar sukses të prekshëm në formën e trofeve, me një triumf të vetëm të “FA Cup”, gjatë qëndrimit 9-vjeçar tek Arsenali.

“Unë isha kapiteni, gjithmonë ndjeja shumë presion ndaj vetes, – tha Fabregas për “Arseblog”. – Duhej ta udhëhiqja këtë ekip, për të fituar diçka. Unë i dhashë gjithçka Arsenalit. Ndonjëherë qaja në shtëpi, pasi kishim humbur. Unë vuaja, kaloja netë pa gjumë nga dëshpërimi. Pas çdo humbjeje hyja në autobus i shkatërruar. Aty shihja disa lojtarë duke qeshur, pa menduar se ku do të dilnim më vonë. 

Kjo gjë po vazhdonte për disa vite. Ne po luanim futboll të bukur, por pa fituar trofe. Mua më pëlqeu ajo anë e gjërave, por po i bëja presion vetes për të udhëhequr, për të bërë gjithçka dhe në një moment ndjeva njëlloj vetmie. Sidomos në dy, ose tri vitet e fundit, kuptova se Robin dhe Samir ishin lojtarët e vetëm në lartësinë time. Nuk është një mendjemadhësi për ta thënë këtë, por po tregoj si jam ndjerë në atë kohë. Ata të dy ishin lojtarët e vetëm në nivelin tim, mendërisht dhe teknikisht. 

Shumë gjëra kaluan në kokën time, duhet të pranoj se isha pak bosh. U rëndova mendërisht dhe fizikisht. Në shpirtin tim e dija se po jepja gjithçka, besova te disa përforcime të klubit, por kjo nuk ndodhi. Duke parë disa sjellje nga lojtarë të caktuar, e pashë se nuk mund të ndryshoja asgjë. Nëse nuk do të ishte për shkak të kësaj, unë nuk do të largohesha nga Arsenali në atë kohë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit