FC Basel dorëzohet para rusëve: Edon Zhegrova, “viktimë” e konfliktit në Kosovë

27 Nëntor 2019
15:12
Alfred Lleshi
back button

Edon Zhegrova bëhet viktimë e (gjeo)politikës. Ai nuk do të luajë dot në ndeshjen e nesërme, në Krasnodar, sepse nuk ka mundur të pajiset me vizë ruse. Megjithatë, dy shqiptarët e tjerë të FC Basel, Taulant Xhaka dhe Tician Tushi, nuk e kanë problemin e pasaportës (kanë edhe atë zvicerane), kështu që kanë “fluturuar” me skuadrën në këtë transfertë europiane. Këtë fakt me bën me dije “Basler Zeitung”, e cila shkruan:

“Ndoshta Edon Zhegrova do të ishte “ngjallur” në Detin e Zi. Sepse “magjia”, kjo është në këmbët e tij, do ta ndihmonte vetë atë dhe FC Basel në ndeshjen e së enjtes kundër Krasnodar, për llogari të grupit C të Ligës së Europës. Ai nuk do ta ketë këtë mundësi, jo për shkak se trajneri nuk e llogarit, përkundrazi. Gjithçka lidhet me atë që nuk doni ta besoni, por ja që ndodh: sporti ka të bëjë edhe me politikën. Futbollisti profesionist, Edon Zhegrova, nuk do të udhëtojë dot në Detin e Zi, vetëm pse është me pasaportë kosovare, luan me kombëtaren e “Dardanëve”. 

FC Basel ka hequr dorë nga kërkesa për vizë ruse të tij, sepse nuk mund të arrihej as me përpjekje të mëdha. Sulmuesi i krahut, me origjinë gjermane, por me rrënjë kosovare, ka mbetur peng i qasjeve politike të Rusisë, e cila nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur, ndaj nuk pranon edhe dokumentat e saj (në këtë rast, pasaportën kosovare të lojtarit). Shteti rus ka qenë historikisht afër Serbisë, e cila zyrtarisht ende e pretendon territorin kosovar. Te vëllai i madh sllav, serbët shohin aleatin e tyre më të ngushtë në këtë drejtim, gjë që pasqyrohet, ndër të tjera, në faktin se Rusia është një nga ato shtete, që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Së bashku me Kinën, rusët kanë ndaluar anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, duke ushtruar të drejtën e vetos.

Për të marrë (ndoshta) një vizë për udhëtimin në Rusi, Zhegrova do të duhej të bënte shumë më tepër sesa, të themi, një qytetar zviceran. Ndër të tjera, FC Basel iu tha se ai duhej të udhëtonte drejt Beogradit për një pjesë të procesit të pasijes me vizë ruse. Pra, të shkonte në kryeqytetin e këtij vendi, i cili është ende në konflikt me shtetin e tij kosovar. Është e lehtë të kuptohet pse klubi nuk dha asnjë indikacion për këtë veprim poshtërues ndaj futbollistit, aq më tepër duke marrë parasysh situatën aktuale. 

Sidoqoftë, FC Basel i vjen keq që do të jetë pa Zhegrova në Krasnodar. Roland Heri, drejtor i FC Basel, thotë: “Është gjithmonë e bezdisshme kur një sportist nuk mund të udhëtojë për gjëra politike në një vend, të pengohet të ushtrojë profesionin e tij. Si shumë klube të tjera, ne jemi në kontakte të vazhdueshme me UEFA-n për ta përmirësuar këtë situatë. Nuk duhet të ndodhë kështu jo vetëm për sportistët, por për të gjithë njerëzit”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit