“Fernandes luan për ekipin, vetëm Maradona mund të fitonte i vetëm”

13 Korrik 2020
13:49
Alfred Lleshi
back button

Bruno Fernandes është lojtar ekipi, thotë Ole Gunnar Solskjaer, i cili nënvizon se veç Diego Maradona ka qenë i aftë të fitojë diçka i vetëm. “Djajtë e Kuq” e kanë parë blerjen e tyre të janarit të bëhet shpejt një yll në “Old Trafford”. Me mesfushorin krijues portugez në fushë, Manchester United ka rilindur, gjë që pakkush mund ta parashikonte. Ekipi i Solskjaer është i pamposhtur prej 17 ndeshjesh radhazi në të gjitha garat.

Trajneri norvegjez tha përmes faqes zyrtare të klubit se “Fernandes ka pasur një ndikim të dukshëm që kur mbërriti në Angli, është lojtar ekipi. Kjo shihet qartë, ai luan për ekipin dhe krijon shanse për të tjerët. Thënë ndryshe, punon shumë dhe bën gjithçka që duhet të bëjë një lojtar i Manchester United. Ai mendon së pari për ekipin, pastaj performancën e vet. Jam i sigurt se do të fitojë shumë nga trofetë personal, duke e ndihmuar ekipin të kualifikohet në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm.

Njëherazi, mendoj se ajo që Kieran McKenna dhe Michael Carrick po bëjnë në fushën e stërvitjes është fantastike. Ka entuziasëm, lojtarët janë duke shijuar stërvitjen dhe ndeshjet. Pra, të gjithë kënaqen duke punuar. Kur bëheni pjesë e Manchester United duhet të punoni shumë, të jeni të përulur dhe ta vendosni ekipin përpara çdo çmimi individual. Individët kurrë, kurrë, kurrë nuk fitojnë asgjë të vetëm, përveç nëse quheni Diego Maradona!”

Lajme të tjera

Lajmet e fundit