Ferrari jep sinjalin e ringjalljes, dominon provat e lira në Kanada

7 Qershor 2019
21:53
Telesport
back button

Më në fund vjen Ferrari. Të paktën deri më tani, në fund të ditës së parë të provave të lira të vlefshme për garën e Çmimit të Madh të Kanadasë në Formula 1. Në pistën e Montreal, “kokëkuqja” pozicioni në dy vendet e para të dy pilotët e saj në fund të sesionit të dytë. Piloti Charles Leclerc ishte më i shpejti në pistë, duke dhënë kohën 1’12”177. Në vendin e dytë, me 74 të mijëtat më shumë u klasifikua Sebastian Vettel.

Paraqitja e makinës italiane ishte shumë më e mirë krahasuar me sesionin e parë të provave të lira, ku dominuan makinat Mercedes (Hamilton-Bottas-Leclerc tri të parët). Gjithsesi, gjatë sesionit të dytë ndryshoi situata, me Ferrarin që la pas Bottas, i treti gjatë mbrëmjes së sotme. Ai që zhgënjeu në provat e dyta ishte Lewis Hamilton, që me makinën gjermane u klasifikua i gjashti, 7 të dhjetat më i avashtë se Leclerc. Britaniku ishte protagonist i një aksidenti në “murin e kampionëve”, duke dëmtuar gomën e djathtë të pasme.

Gjithsesi, gomat dhe menaxhimi i tyrte do të jetë çelësi i fitores si nesër në provat zyrtare (ora 20:00) ashtu dhe të dielën në garë (ora 20:10). Me gomat e forta “kokëkuqja” kishte vështirësi në pilotim, ndërsa me ato të buta ishte më e shpejtë. Një sinjal ky se makina italiane mund të duelojë me Mercedes, që në këtë garë vjen me motorin e ri në të dyja njëvendëshet. Kjo është një pistë që i përshtatet Ferrarit, në kërkim të suksesit të parë sezonal.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit