Euro 2020: Shqipëria e mbyll me humbje fazën kualifikuese, Franca i prish festën e inaugurimit të “Air Albania Stadium”

17 Nëntor 2019
22:42
back button

Ka nisur me festë për kuqezinjtë, por inaugurimi i “Air Albania Stadium” ka rezultuar plot fat për Francën. Shqipëria është mundur me rezultatin 0-2 nga kampionët e Botës në fuqi. Dy gola të realizuar nga Tolisso dhe Griezmann i kanë dhënë “Gjelave” fitoren në ndeshjen e fundit të Grupit H, si dhe kreun e klasifikimit në këtë fazë kualifikuese të Euro 2020.

Për kuqezinjtë ka nisur gjithçka keq, pasi e kanë parë veten në disavantazh që në minutën e 9’ pas atij goli të realizuar nga Tolisso, i asistuar prej Griezmann, që në kuotën e 7 asisteve, është futbollisti më altruist në këto kualifikuese.

Kur kronometri shënonte minutën e 30’ të ndeshjes, ishte vetë Griezmann që këtë herë dërgoi topin në rrjetë. Kësaj here jo vetëm për të konfirmuar fitoren e ekipit të tij, por edhe për tu futur në historinë e futbollit francez, pasi vetëm shtatë të tjerë janë si ai.

Tashmë ylli i Barcelonës, pas realizimit ndaj Shqipërisë, numëron plot 30 gola me kombëtaren, duke shkruar emrin e tij në listën e legjendave të Francës, si Fontaine, Platini, Papin, Trezeguet, Henry, Zidane dhe Giroud.

Shqipëria kishte shanset e saj, por Hysaj nuk mund t’i besonte shansit që kishte, duke shpërdoruar gjithçka me një lëvizje absurde, duke iu larguar portës, në vend që të shkonte drejt saj.

Pjesa e dytë, falë edhe ndryshimeve të bëra nga trajneri Reja, ka nisur me ritëm dhe dëshirë për reagim nga kuqezinjtë, por është sërish Hysaj, që në zonë, pas një krosi nga Bare, nuk arrin të devijojë topin në rrjetë.

Nga ana tjetër, fati në fraksionin e dytë të lojës ka qenë në anën e Shqipërisë. Fillimisht më shumë për meritë të Berishës, Giroud nuk ia del të shënojë të tretin për Francën, ndërsa më vonë, sulmuesi i Chelseat, bën gjithçka perfekte duke goditur nga jashtë zone, por topi përplaset në traversë.

Asgjë nuk ka ndryshuar deri në vërshëllimën e fundit të arbitrit, në një ndeshje të fituar nga Franca me rezultatin 0-2. Shqipëria e mbylli Grupin H në vendin e 4-t në kuotën e 13 pikëve, ndërsa Franca kryeson klasifikimin, me 25 pikë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit