Festoi me PSG pas humbjes 3-0, portieri i Realit sqaron si u gjend në vendin e gabuar

20 Shtator 2019
11:34
Alfred Lleshi
back button

Në fund të humbjes katastrofale të Real Madridit kundër PSG, nuk mungoi gafa e Alphonse Areola. Fotografia e portierit francez të merenguesve me Kylian Mbappé, ndërsa festonin fitoren pariziene, bëri xhiron e botës përmes rrjeteve sociale. Kjo gjë nuk u pëlqye aspak nga tifozët e Realit. Areola ka një përvojë të shkëlqyer ndërkombëtare, të fituar me PSG dhe me kombëtaren franceze, me të cilën, në vitin 2018 u shpall kampion bote. Pra, nuk i lejohen gafa të tilla. 

Duke u ndier i keqkuptuar, ai ka kërkuar ndjesë përmes një postimi në Instagram. Portieri donte të sqaronte se buzëqeshja e kapur në atë fotografi ishte për shkak të takimit me mikun e tij të madh, Kylian Mbappé: “Të nderuar tifozë të Real Madridit, ndihem shumë i trishtuar për disa komente në lidhje me një foto, që qarkullon në rrjetet sociale. Dua që të gjithë tifozët e Realit ta dinë se, që kur u regjistrova në këtë klub, zemra ime është e zbrazur nga e kaluara. 

Nuk mund të duroj as më të voglin dyshim për motivimet e mia, besnikërinë time dhe angazhimin tim me Real Madridin tonë. Humbja më tronditi dhe mua, si të gjithë ata, që e përbëjnë këtë familje të mbrekullueshme. Pas lojës takova shokët e vjetër të skuadrës dhe miq të ndryshëm, të cilëve nuk kisha pasur kohë t’iu thoja lamtumirë. Prandaj, ritheksoj kërkimin e faljes për tifozët e Real Madridit, që u ndjenë të ofenduar. Shpresoj që së bashku të arrijmë shumë suksese. Hala Madrid!”

Lajme të tjera

Lajmet e fundit