Fetaj, “postblloku” i Dinamos që e feston 25-vjetorin me ngjitjen në Superiore

6 Maj 2023
8:27
Alfred Lleshi
back button

Patrik Fetaj është një futbollist me të ardhme, i afruar te Dinamo këtë sezon. Djaloshi pukjan, që sot feston 25-vjetorin, ka marrë urimin e bashkëlojtarëve dhe “Nëndetëses”, e cila ka siguruar tashmë ngjitjen në elitën e futbollit shqiptar.

Pra, nga sezoni i ardhshëm Dinamo do të luajë aty ku e ka vendin, ku ka bërë historinë e madhe të vetën dhe të futbollit shqiptar, në Kategorinë Superiore.

Meritë kjo edhe e Fetaj, i cili ka luajtur 14 ndeshje me blutë kryeqytetas në kampionatin që po shkon drejt fundit.

Mbrojtësi ka 793 minuta aktivizim me Dinamon dhe shpreson të konfirmohet edhe për sezonin vijues, duke punuar fort e ndjekur këshillat e stafit teknik.

Para se të vinte te blutë kryeqytetas, Fetaj ka luajtur katër sezone te Besëlidhja, ku është formuar si mbrojtës pozicional dhe i fortë në lojën ajrore, bëri edhe kapitenin.

Tashmë e kërkon “shenjtërimin” përfundimtar te një shkollë e vërtetë futbolli, sikurse është Dinamo. Qëllimin e madh të parë e ka arritur tashmë, duke siguruar ngjitjen në Superiore, ndërsa në vazhdim ka “stacione të tjera që duhen arritur në karrierë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit