Feyenoord, si të ndërtosh një mrekulli me pak para

7 Maj 2022
19:46
Denis Hakanaj
back button

Në Holandë e konsiderojnë një mrekulli të vogël. Askush nuk mendonte se Feyenoord mund të ishte protagonist në Conference League, duke e nisur nga faza para-eliminatore dhe duke ndërtuar, nga faza e grupeve e në vazhdim, një rrugë të bërë prej 8 fitoresh, 4 barazimesh dhe asnjë humbje.

Që një skuadër holandeze të ketë sukses në Europë nuk është një anomali, por në rastin e klubit të Roterdamit (një Kupë Kampionësh, një Interkontinentale dhe dy Kupa UEFA) surpriza vjen nga sforcimet e fundit në bilanc, që kanë kushtëzuar ndjeshëm lëvizjet në merkato.

Mjafton të mendohet se katër milionë eurot që duhen për të blerë në fund të sezonit Cyriel Dessers, golashënuesi më i mirë aktualisht i Conference me 10 gola, i huazuar nga Genk, konsiderohen një problem serioz.

Arkitekti i kësaj mrekullie është trajneri 43-vjeçar Arne Slot, i cili ka marrë drejtimin e ekipit në fillim të sezonit dhe ka qenë i aftë të ketë menjëherë një ndikim të madh në skuadër. ka shkëlqyer edhe dy vite më parë, duke çuar Az Alkmaar të luftonte për titullin me Ajax-in, para se emergjenca Covid ta ndërpriste kampionatin.

Te Feyenoord është dashur të bëjë llogaritë me një organikë më të vogël, gjë që nuk e ka ndalur të udhëtojë pothuajse në nivelin e Ajax-it dhe PSV-së, që janë para tyre në renditje aktualisht.

Bëhet fjalë për një ekip shumë të ri (pak më shumë se 24 vjeç mosha mesatare), dinamik dhe agresiv. Mesatarja e golave në Conference është shumë e mirë: 17 gola në 6 ndeshje, nga 1/8-at e finaleve dhe në vazhdim.

Më pak bindëse ka qenë mbrojtja: barazimi 0-0 kundër Marseille, të enjten e kaluar, ka qenë ndeshja e parë pa pësuar gol për Feyenoord në 11 ndeshjet e fundit europiane.

Disa prej të rinjve të Slot kanë një vlerësim interesant. Lojtari më i çmuar nuk është Dessers, i cili ka bërë një paraqitje të mirë në Conference, por akoma nuk bind në kampionat (6 gola në 25 ndeshje).

Më i miri, në fakt, është 22-vjeçari Sinisterra. Një lojtar që krijon, kalon kundërshtarin, jep asiste dhe shënon go la. Përveç 6 golave në Conference League, ai ka shënuar edhe 12 në kampionat.

Një problem i madh për Marash Kumbullën me shokë. Janë interesantë edhe dy mesfushorët Aursnes dhe Kokçu, me këtë të fundit që ka shkuar te Feyenoord në moshën 14 vjeç dhe prej kohësh në xhiron e kombëtares turke.

Në qendër të mbrojtjes, bashkë me austriakun Trauner, është argjentinasi 25-vjeçar Senesi, ish-lojtar i San Lorenzo-s, i ndjekur nga disa klube, mes të cilëve është edhe Roma.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit