FIFA paralajmëron tifozët kuqezinj: Tolerancë zero, sjellja e tyre e neveritshme

13 Tetor 2021
11:58
Alfred Lleshi
back button

FIFA duket e vendosur për të marrë masat më të rrepta kundër fenomeneve të dhunës dhe racizmit në futboll. Më konkretisht, ajo do të ndalet te ndeshjet e radhës kualifikuese për “Katar 2022”. Sipas qeverisë së futbollit botëror, dy ishin ndeshjet, ku u konstatuan problematika të dënueshme: Angli-Hungari dhe Shqipëri-Poloni.

Pra, të dyja rastet për shqyrtim i përkasin grupit I kualifikues. Në “Wembley”, protagonistë negativë ishin tifozët hungarezë, që u përleshën me policinë në shkallët e stadiumit, kur kjo e fundit deshi të arrestonte njërin prej tyre për fyerje raciste. Një rast i përsëritur për tifozërinë hungareze, e cila vuajti dënimin e FIFA-s edhe të shtunën e kaluar, me një ndeshje (ndaj kuqezinjve tanë) pa tifozë.

Ndëshkim shembullor duket se do të ketë edhe për tifozët shqiptarë, të cilët hodhën sende të forta, kryesisht bidona uji, në momentin e shënimit të golit të vetëm nga polakët. Dy-tre lojtarë të këtyre të fundit shkuan dhe festuan te goditja e këndit, me njëlloj krenarie thumbuese, çka irritoi një pjesë të tifozëve kuqezinj, të cilët i goditën me shishe uji.

Kjo ndeshje u ndërpre për rreth 20 minuta, direkt pasi Karol Swiderski shënoi në minutën e 77-të. Kryesori francez i dërgoi lojtarët në dhomat e zhveshjes dhe pas negociatave mes palëve, e rifilloi lojën aty ku u ndërpre, pa ndryshuar dot rezultati 1-0 për polakët. Për këto dy vatra të nxehta, qeveria e futbollit botëror ka reguar me një deklaratë zyrtare:

“FIFA aktualisht po analizon raportet e ndeshjeve kualifikuese të Kampionatit Botëror, të zhvilluara mbrëmë, në mënyrë që të përcaktojë veprimin më të përshtatshëm. FIFA dënon me forcë incidentet në Angli kundër Hungarisë dhe në Shqipëri kundër Polonisë dhe dëshiron të deklarojë se qëndrimi i saj mbetet i vendosur në refuzimin e çdo forme dhune, si dhe çdo forme diskriminimi ose abuzimi. FIFA ka një qëndrim shumë të qartë të tolerancës zero kundër sjelljeve të tilla të neveritshme në futboll”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit