Fiksimi me helikopterin që i mori jetën, kur Kobe i fikte motorrin në ajër

26 Janar 2020
23:14

Kobe Bryant ishte prej kohësh në dashuri me helikopterin e tij, ai madje e përdori atë një herë për t’i bërë një rreng drejtorit të përgjithshëm të LA Lakers, Rob Pelinka, të cilin e frikësoi për vdekje.

Sikurse pat raportuar “LA Times” në vitin 2017, Kobe urdhëroi pilotin e tij të bënte manovra ushtarake me helikopterin, ndërkohë që menaxheri i përgjithshëm i LA Lakers, Rob Pelinka ishte në bord. Madje fiku fare edhe motorin e helikopterit ndërkohë që ishin ende në fluturim në ajër.

“Po më kalonte jeta para syve. Për pak sa nuk pësova një atak në zemër. Ndërkohë, Kobe qëndronte i ulur përkrah meje, krejt i qetë dhe i përmbajtur”, rrëfen vetë Pelinka.

Zakonisht ish-superylli i LA Lakers e përdorte helikopterin për të udhëtuar për në ndeshjet që Los Angeles Lakers luanin në shtëpinë e tyre gjatë kohës kur ai ishte ende aktiv, madje një herë, në vitin 2012 ai e përdori atë për të transportuar një shokun e tij të ekipit, Steve Blake, për te takimi me doktorin.

Në një intervistë dhënë në 2009, Bryant pranonte se parapëlqente të udhëtonte me helikopter ato 49 milje deri në “Staples Center”, ku luante ndeshjet LA Lakers. “Ndonjëherë ka disa gjëra që nuk mund t’i humbasësh. Si përshembull ndeshja e futbollit e vajzës time. Sepse po sikur të humbas golin e saj të parë?”, deklaroi Kobe, që pranoi se nuk kishte drejtuar kurrë vetë helikopterin për në ndeshjet e vajzës.

Kobe Bryant 41 vjeç dhe vajza e tij Gianna 13 vjeç humbën jetën në aksidentin e ndodhur mëngjesin e kësaj të diele në Kaliforni, teksa udhëtonin në bordin e helikopterit  për në akademinë stërvitore.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit