Filloi gjyqi “sextape”; Valbuena paralajmëron Benzema. Ja çfarë deklaruan 4 të pandehurit në seancë

20 Tetor 2021
15:04
Alfred Lleshi

Sot filloi gjykimi i çështjes “Valbuena”, me bashkëpunimin e supozuar të Karim Benzema dhe katër të pandehurve të tjerë, në përpjekje për ta shantazhuar atë. Po flasim për çështjen e diskutueshme të videos seksuale të ish-shokut të tij të kombëtares, Mathieu Valbuena. Sulmuesi i Real Madridit, Benzema, përballet me një dënim deri në pesë vite burg dhe një gjobë prej 75.000 €. Më poshtë po ju tregojmë çfarë ndodhi në ditën e parë të gjyqit.

Flet Valbuena: “U ndjeva në rrezik dhe kisha frikë për karrierën time sportive në ekipin e Francës. E dija që nëse do të dilte videoja, do të komplikohej situate për mua në kombëtare. U ndjeva në rrezik, instinkti im i parë ishte të bëja një denoncim në polici. Asnjëherë nuk u fol për ndonjë shumë parash, por pati një kërcënim nga njerëzit e akuzuar, që më thanë se kishin diçka të rëndë për mua”.

Më tej, duke folur për mediat, Valbuena kritikoi mungesën e Karim në gjyq dhe lëshoi ​​një paralajmërim: “Benzema ka munguar. Është e turpshme, por kështu ndodhi. Unë do t’i shkoj deri në fund çështjes, në mënyrë që gjithçka të mbetet pas, secili të marrë dënimin e merituar”.

Nga ana e tij, një tjetër nga të pandehurit, Houass, dha më shumë detaje të çështjes: “Në maj 2015, Zouaoui (i konsideruar si ideatori i komplotit) më telefonoi për të më thënë se kishte një video të një lojtari të ekipit kombëtar. Së pari më tha se ishte Giroud, por më vonë konfirmoi se bëhej fjalë për Valbuena”.

Axel Angot, një nga të pandehurit, pranon krimin e tentativës së shantazhit. Pyetjes së gjyqtarit të çështjes “a e njihni krimin e tentativës së shantazhit për të cilin jeni akuzuar”, i pandehuri iu përgjigj pozitivisht, sipas RMC.

Axel Angot pranon se, ndërsa po riparonte celularin e Valbuenas, zbuloi videon me përmbajtje seksuale. Ai flet për këtë me Zouaoui dhe ky është momenti kur të dy vendosin të kontaktojnë futbollistin. “Ne diskutuam me njëri-tjetrin se si Valbuena, nëse do të vinte për të marrë celularin, do të na paguante. Qëllimi i Zouaoui ishte që ai të vinte dhe të merrte videon”, – pohoi ai sipas BFM.

Një nga të pandehurit e tjerë saktësoi: “E pashë videon, qeshëm me të. Ia transmetova të gjithëve, përjashto Benzema. Djibril Cissé ishte njëri prej tyre, që e mori. Shumë lojtarë të ekipit kombëtar francez e kanë parë videon. Nuk kishte shantazh, ne nuk i kërkuam para”.

Avokati i Valbuenas u shpreh kritik: “Është për të ardhur keq që Benzema nuk ka ardhur në gjyq”. Benzema nuk do të marrë pjesë në gjyq dhe do të përfaqësohet nga avokatët e tij. Seanca filloi në 07:30, ndërsa gjyqi do të zgjasë deri të premten, me katër të pandehur: Axel Angot, Mustapha Zouaoui, Younes Houass dhe Karim Zenati.

Të gjithë arritën pak para orës 10 të mëngjesit. Valbuena, i rrethuar nga avokatët e tij, ishte i pari që mbërriti në gjyq. “Është për të ardhur keq që Benzema nuk shfaqet në gjyq. Ne kemi pritur pesë vite për një konfrontim të opinioneve të tij me Valbuena. Besojmë se Benzema ka frikë nga kjo përballje”, – tha një nga avokatët e Valbuena.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit