“Finale” ndaj Polonisë, stadiumi “Air Albania” rikthehet 2 vite më parë: fitime rekord nga biletat, gjysmë miliardi te FSHF

11 Tetor 2021
16:05
Telesport
back button

Që pas pandemisë, “Air Albania Stadium” nuk ka pasur mundësinë të mbushet dhe gjithçka ka mbetur pezull…

Madje, në shumicën e rasteve, në impiantin modern që ka kushtuar thuajse 75 mln euro, shumë pak ndeshje janë zhvilluar dhe në kampionat, aq sa problematika e terrenit është një zvarritje që prej ditës së përurimit në Shqipëri-Francë…

Pikërisht ai moment ishte edhe kulmi i mbushjes së stadiumit kryesor të Tiranës dhe Shqipërisë, aq sa në Shqipëri-Poloni do të rishohim atë atmosferë…

Shqipëri-Poloni, që do të luhet nesër në orën 20:45 në “Air Albania”, do të ketë plot 22 mijë tifozë të pranishëm. Biletat e hedhura në treg për këtë takim janë shitur të gjitha dhe kjo është konfirmuar zyrtarisht edhe nga FSHF.

Vetë presidenti Armand Duka, i pyetur në lidhje me këtë interesim të jashtëzakonshëm, konfirmoi se është marrë leje nga qeveria sa i përket kapacitetit, në një kohë që Ministria e Shëndetësisë lejonte vetëm 30%. “Biletat janë shitur 100%, por në raste të tilla janë pak edhe 220 mijë vende.

Këto janë mundësitë e Shqipërisë dhe pa dyshim që do të detyrohen të bëhen stadiume më të mëdha me këtë brez që po vjen. Na është dhënë leja për të pasur stadiumin plot”, është shprehur Duka pas ndeshjes në Hungari.

Lajmi i ditës është që FSHF i ka shitur të gjitha biletat për të gjitha tribunat në “Air Albania” dhe do të ketë një fitim rekord.

Duke bërë një llogaritje të thjeshtë nga 22 mijë vende dhe bileta, përjashto këtu 1 mijë bileta që mund të jenë dhuratë dhe ftesa, pak a shumë do të jetë një arkëtim rekord prej 550 milionë lekë të vjetra, pra gjysmë miliardi.

Prej marsit të vitit 2020 stadiumet kanë qenë të mbyllura dhe më pas janë hapur me një kapacitet deri në 30%, duke ndikuar direkt në uljen e të ardhurave të klubeve dhe vetë FSHF-së për ndeshjet e Kombëtares .

Për herë të fundit që “Air Albania” ka qenë i tejmbushur, është luajtur Shqipëri-Francë në fundin e vitit 2019 dhe më pas derbi Tirana-Partizani, ku pati gjithashtu mbi 20 mijë tifozë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit