Tenis

Finalet e Championship, Djokovic “leksion” Isner, Federer e nis me humbje

Janë luajtur në Londër ndeshjet e ditës së parë të finaleve të turneut ATP Championship, ku nuk kanë munguar surprizat. Në Grupin “Guga Kuerten”, tenisti serb Novak Djokovic, numri 1 në botë, fitoi me lehtësi 2-0 (6-4, 6-3) ndaj amerikanit John Isner. Ndeshje e dominuar nga Djokovic, në formë të shkëlqyer, duke i dhënë një leksion rivalit amerikan. Më e vështirë fitorja e gjermanit Alexander Zverev, që mundi 2-0 (7-6, 7-6) kroatin Marin Cilic. Të dyja setet u vendosën në “tie break” në favor të Zverev, numri 5 në botë.

Surprizat më të mëdha ndodhën në grupin Lleiton Hewit, ku aventura e Roger Federer nisi me humbje. Tenisti zviceran u mund 2-0 (7-6, 6-3) nga japonezi Kei Nishikori, ndeshje me rivalitet vetëm në setin e parë, pasi më tej epërsia e aziatikut ishte e madhe. Kjo ishte përballja e tretë që dy tenistët zhvilluan mes tyre brenda një muaji, me Federer që ka fituar dy të parat. Në takimin tjetër, afrikano-jugori Kevin Anderson fitoi 2-0 (6-3, 7-6) ndaj austriakut Dominic Thiem, duke e nisur me fitore këtë aventurë në finalet e Championship.

Më shumë nga Tenis