Finalja e Champions-it, denoncimi i fortë i gruas së Thiagos: Na kërcënuan bandat e hajdutëve, policia rrahu njerëz të pafajshëm

30 Maj 2022
10:16
Alfred Lleshi

Përtej zhgënjimit të rezultatit, finalja e Champions League ka lënë gjurmë indinjate të Liverpool për atë që ndodhi në prag të ndeshjes në Paris. Problemet e sigurisë, që shkaktuan shtyrjen e fillimit të ndeshjes me 37 minuta, kanë sjellë shkëmbim akuzash mes klubit nga “Anfield”, përgjegjësve për sigurinë e finales dhe policisë franceze.

Ndër këto dëshmi spikat ajo e Julia Vigas, bashkëshortes së Thiago Alcántara, e cila ka detajuar në vetën e parë eksperiencën e saj dhe të të afërmve të lojtarëve të Liverpool-it në prag të finales. Këtë e ka bërë me një publikim në rrjetet e saj sociale:

“Nuk më pëlqen të komentoj këto gjëra, por këtë herë duhet të shprehem. Finalja ishte një makth total, dhe kjo nuk ka të bëjë me futbollin, por shkon përtej rezultatit. Për shkak të mungesës së organizimit dhe sigurisë, ka pasur shumë momente frike, vazhdimisht jemi kërcënuar nga bandat e hajdutëve, të cilët tentonin të na grabisnin dhe të futeshin tinëz në stadium pa biletë.

Kjo është arsyeja pse shumë tifozë qëndruan jashtë stadiumit duke shkaktuar orteqe njerëzish. Policia hodhi gaz lotsjellës ndaj familjeve dhe tifozëve, disa prej tyre u rrahën gjithashtu. Të gjithë ishin njerëz të pafajshëm.

Për shkak të gjithë këtij problemi na është dashur të largoheshim nga stadiumi për sigurinë tonë. Diçka duhet bërë, kjo lloj gjëje nuk mund të ndodhë në asnjë lloj ngjarjeje, kërkojmë përgjegjësi. Mund të ishte shumë më keq”.

Më shumë zëra i janë shtuar denoncimit publik të Julia Vigas orët e fundit. Një nga më të fuqishmit ka qenë Jason McAteer, një ish-futbollist i klubit të kuq, i cili u shpreh i prerë në deklaratat për LFC TV: “Jam shumë i trishtuar. Gruaja ime u sulmua, ashtu si djali im i madh. Unë kurrë nuk do të shkoj në një ndeshje futbolli, kur përballesh me gjëra të tilla. Është e frikshme”.

Ministrja franceze e sportit, Amélie Oudéa-Castéra, ka theksuar sërish këtë të hënë për tifozët e Liverpool-it, të cilët sipas saj janë ata që kanë shkaktuar kaos në hyrje të stadiumit: “Duhet të keni parasysh se ka pasur një fluks tifozësh britanikë nga Liverpool-i pa bileta ose bileta false. Prefekti vlerësoi këtë grumbullim në mes 30.000 dhe 40.000 njerëzish, që është mbi 45% me staf të tepërt. Kishte një tubim në hyrje të stadiumit, duke krijuar çështje sigurie dhe mbingarkesë. U krijua një situatë e jashtëzakonshme pritjeje frustruese për njerëzit”.

Ministrja vlerësoi faktin se Real Madridi, i cili fitoi ndeshjen dhe Ligën e 14-të të Kampionëve e kishte përgatitur ardhjen e tifozëve të tij me autobusë nga aeroporti dhe akset e tjera organizative. Ajo shprehu keqardhjen që Liverpool-i nuk i kontrollonte tifozët e vet në të njëjtën mënyrë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit