Turi Çiklistik, Fiorelli fiton etapë dhe kryesim, Sefa dorëzon fanellën e verdhë

24 Maj 2019
8:44
Telesport
back button

Ndryshon tërësisht renditja e Turit të 76-të Çiklistik të Shqipërisë. Etapa e 4-t, ajo Vlorë-Sarandë, 123km e gjatë, ka sjellë përmbysjen e klasifikimit. Malorja e Qafës së Llogarasë ka bërë që çiklistët e kombëtares shqiptare të vihen në vështirësi, duke humbur ndjeshëm terren.

Kjo etapë u fitua nga çiklisti italian Filippo Fiorelli, që mbërriti në finish pas 3h16’05”. Ai fitoi në sprintin final duelin ndaj holandezit Van Empel dhe austriakut Schnonberger, që dhanë të njëjtën kohë me italianin. Kjo është etapa e tretë radhazi që fitohet nga një çiklist i shtetit fqinj.

Më i miri nga kuqezinjtë në këtë turne ishte Ylber Sefa, që u rendit në vendin e 12-të, me +5’32” nga fituesi. Për pasojë, Sefa humbet kreun e renditjes së përgjithshme. Në fund të etapës së 4-t u tërhoqën 5 çiklistë dhe në finish mbërritën 59 garues.

Fanellën e verdhë tashmë e mban pikërisht italiani Fiorelli, që ka kohën e përgjithshme 15h51’20”. Sefa, që është më i miri nga çiklistët e kombëtares shqiptare, renditet i 10-ti, më +5’12” nga kreu. Sot zhvillohet etapa e pestë dhe e fundit, Sarandë-Fier, ky çiklistët do të zhvillojnë një betejë të fortë në Qafën e Muzinës.

Itinerari i Turit të 76-të Çiklistik

Etapa I, Shkodër-Reps-Shkodër, 193km

1-Ylber Sefa, Shqipëria, 3h37’09”

Etapa II, Shkodër-Elbasan, 183km

1-Samuele Zambelli, Iseo Serrature, 4h29’43”

Etapa III, Elbasan-Vlorë, 177km

1-Moreno Marchetti, Neri Sottoli Selle, 4h29’43”

Etapa IV, Vlorë-Sarandë, 123km

1-Filippo Fiorelli, Gragnao Sporting Club, 3h16’05”

2-Etienne Van Empel, Neri Sottoli Selle, “

3-Sebastian Schnonberger, Neri Sottoli Selle, “

Etapa V, Sarandë-Fier, 162km

Renditja e përgjithshme

1-Filippo Fiorelli, Gragnao Sporting Club, 15h51’20”

2-Etienne Van Empel, Neri Sottoli Selle, +5”

3-Sebastian Schonberger, Neri Sottoli Selle, +7”

Lajme të tjera

Lajmet e fundit