Fitimet e dyshimta kapitale, jepet alarmi në Serie A. Juventusi në syrin e ciklonit

27 Tetor 2021
12:09
Alfred Lleshi
back button

Prokuroria Federale në Itali ka hapur një dosje për një sërë fitimesh të dyshimta kapitale të dy viteve të fundit. Ishte një inspektim i kompanive të listuara në bursë nga “Consob”, ai që provokoi vendimin e prokurorit federal, të drejtuar nga Giuseppe Chiné. Vëmendja u tërhoq nga disa transaksione të Juventusit në merkato.

Lajmi tërhoqi interesimin e “Covisoc”, që ia dorëzoi kartat prokurorit federal. Tema nuk është e re, subjekti gjithmonë i diskutueshëm, aftësitë ndërhyrëse të drejtësisë sportive gjithmonë të vështira (shumica e hetimeve të këtij lloji janë mbyllur). Sidoqoftë, kjo histori ka qenë gjithmonë si një nerv i prekur, si një mundësi që klubet t’i mbivlerësojnë disa lojtarë buxhetorë.

Raporti drejtuar prokurorit të FIGC dhe presidentit Gabriele Gravina është më i fundit. Tani nevojitet thellim i çështjes. Dhe për këtë arsye, “Covisoc” i kërkoi klubit të Juventusit disa informacione në lidhje me shkëmbimet. Për momentin ka një lloj alarmi te bardhezinjtë, sepse hetimi sportiv në thelb duhet të kryhet.

Disa marrëveshje kanë përfunduar nën “lupë” në aksin Consob-Covisoc. Në veçanti shkëmbimi i Juventusit me Barcelonën, që më pas çoi në shitjen e Pjanic (60 milionë euro) te katalanasit. I paraprirë nga blerja e Pereira Da Silva (8 milionë), më pas i Arthur (72 milionë) dhe Marques (8.2 milionë) nga klubi i Andrea Agnellit, i cili do të fitonte një total prej rreth 50 milionë euro në këtë raund operacionesh.

E njëjta gjë vlen edhe për Genoa, me 18 milionët e Rovella-s, të shitur te Juve (ai është ende në huazim te klubi kuqeblu), ndërsa Portanova (me 10 milionë) dhe Petrelli (në 8 milionë) bënë të kundërtën. Megjithatë, çështja nuk është për t’u konsideruar vetëm nga pikëpamja teknike, problemi ka të bëjë jo vetëm me vlerësimin e lojtarëve, por me transfertat e parave të ndodhura (ose jo).

Lajme të tjera

Lajmet e fundit