Fitoi 4 medalje ari dhe 2 argjendi, Briken Calja indinjohet me mungesën e përkrahjes!

16 Prill 2019
15:23
back button

Fituesi i katër medaljeve të arta dhe dy argjendi në dy kampionatet e fundit evropiane të peshëngritjes, Briken Calja, ka bërë një reagim të shterues në faqen e tij Facebook, duke rrëfyer sipas tij, disa të vërteta. Reagimi i Briken Cales, që u shpall së fundi Kampion Europe në stilin e shkëputjes në Kampionatin Europian të Batumit, vjen si indinjatë ndaj mungesës së reagimit nga mediat dhe institucionet shtetërore.

Sipas peshëngritësit, mediat e kanë kaluar si diçka normale fitoren e tre medaljeve të radhës të Brikenit në evropianin e shtantës, ndërsa ende Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Besa Shahini, nuk e ka telefonuar për t`a uruar. Pavarësisht indinjatës së shprehur në reagimin e bërë në Facebook, Briken Calja tregon se do të vijojë të derdh gjak e djersë për kombin. 

"ÇDO TË THOTË 4 MEDALJE ARI DHE 2 ARGJENDI?!

Gjatë dy viteve, 2018 dhe 2019, u arritën rezultate historike për sportin shqiptar dhe për peshëngritjen në veçanti, që deri dje dukeshin të pamundura. Por me punë ia dolëm! 💪

Në një vend normal europian kjo do të jehonizohej e do të bënte të fliste i madh e i vogël. 

Por ç'ndodh?! 

Në vendin tonë kjo gjë kalohet sikur të jetë një arritje e rëndomtë dhe krejt normale.

A e do njeri fjalën sport në këtë vend? A mund të sillemi me sportistët siç ata e meritojnë? Çfarë duhet të bëjmë më shumë ne peshëngritësit që ndaj nesh të ketë një sjellje të duhur dhe dinjitoze?

Për median kjo gjë u kalua si diçka krejt standarde e normale. Më falni, duhet të jetë patjetër Brikeni nëpër studiot tuaja që të flitet për medaljet historike të sjella këto dy vite për Shqipërinë?

Për Brikenin flet vetë rezultati, por ju nuk po arrini të përmbushni atë motiv që profesioni juaj mbart, përcjelljen e lajmeve dhe opinioneve të duhura në mënyrë sinkrone, direkte dhe sigurisht të pavarura.

Në këtë vend flitet për çdo gjë, por për sportin dhe peshëngritjen në veçanti janë të gjithë neglizhentë kur ndërkohë deri tani përsa i përket rezultateve është krenaria jonë më e madhe.

Për mua rëndësia më e madhe është publiku, i cili më ka mbështetur në çdo hap timin, ata që kanë brohoritur në çdo kilogram timin të ngritur dhe që më kanë pritur ardhjen time në vendlindje me entuziazëm, duartrokitje e krenari. 

Meqë përmendëm pritjen dhe përkrahjen, po ju përcjell lajmin që akoma nuk kam marrë asnjë telefonatë apo mesazh nga Ministria e Arsimit dhe Sportit apo qoftë nga ndonjë zyrtar i saj. As edhe një urim të thjeshtë! Zero! 

Mua si Briken kjo gjë nuk më duket normale, dhe nuk duket normale për asnjë person mesatar në nivelin e kuptueshmërisë. 

Çfarë duhet të bëj më shumë një kampion Evrope? 

Ka shumë pikëpyetje për çdo gjë dhe këdo që nuk më ka dhënë mbështjetjen e duhur, gjë të cilën ia dikton detyra por do të duheshin ditë të tëra për tu shprehur.

Këto fjalë burojnë nga zemra, që edhe pse e trazuar nga mërzitja e inati për ato që shpreha më lart, prapë buzëqesh kur bëhet fjala për Shqipërinë. 

Do të vazhdoj të derdh djersë e gjak për kombin tim, edhe pse i papërkrahur aq sa duhet nga disa komponentët kyç që duhet të më gjenden pranë.

Juaji, 

Briken Calja.

Fitues i 4 medaljeve Ari dhe 2 Argjendi në krye të dy viteve të fundi!"

Lajme të tjera

Lajmet e fundit