Fitoi Botërorin dhe Europianin, sulmon Neymar: Nuk është model i mirë!

6 Prill 2020
12:22
Alfred Lleshi
back button

Neymar është nga ata lojtarë, që i ndan shumë njerëzit në pro dhe kundër tij. Nëse, në të vërtetë, nuk mund të themi asgjë për cilësitë e tij teknike, ka shumë që shpesh i kanë kritikuar disa nga qëndrimet e brazilianit në fushë.

Në mesin e atyre që besojnë se ylli i PSG duhet të ndryshojë sjelljen e tij, ekziston edhe Vicente Del Bosque. Ish-trajneri i Real Madridit dhe Spanjës, i cili u kurorrëzua si kampion Bote dhe Europe në stolin e “La Roja”, në një intervistë me “Mundo Deportivo” foli edhe për yllin e PSG: 

“Ai është një djalosh kontravers. Për mua nuk është një model i mirë. Si futbollist, unë mendoj se është i jashtëzakonshëm. Nëse më pyesni për listën e pesë më të mirëve në botë, me siguri Neymar është aty. Në fushë, megjithatë, ai përpiqet të simulojë, pretendon shumë. Edhe mënyra se si ai u largua nga Barcelona nuk më ka pëlqyer…”

Në Spanjë, shumë lojtarë të Barçës thuhet se i bëjnë presion klubit për rikthimin e Neymar. Del Bosque jep mendimin e tij: “Është klubi, ai që duhet të vendosë ta blejë apo jo. Ju nuk duhet t’i kushtoni shumë vëmendje asaj që thonë lojtarët, tashmë ka drejtorë sportivë dhe sekretarë teknikë. Është e vështirë për një lojtar të flasë keq për një ish-partner. Unë mezi mbaj mend që dikush ta ketë bëtë këtë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit