Fitorja e Hamilton mbetet pezull, Ferrari apelon dënimin e Vettel

10 Qershor 2019
9:21
Telesport
back button

Ferrari ka marrë vendimin për të apeluar dënimin prej 5 sekondash që komisarët e pistës së Montrealit (Kanada) i dhanë pilotit gjerman Sebastian Vettel. Penalitet që i kushtoi fitoren pilotit gjerman të “kokëkuqes”, që edhe pse preu i pari vijën e finishit ia “dorëzoi” fitoren Lewis Hamilton, që u rendit i dyti.

Vendimi i komisarëve të pistës erdhi pas daljes nga pista të Vettel, në xhiron nr.48. Në momentin që ai u rikthye në pistë i zyri rrugën Hamilton dhe sipas komisarëve ka penguar pilotin britanik, që u detyrua të frenojë për të evituar kontaktin.

Sipas Ferrarit, piloti gjerman u rikthye tek trajektorja dhe nuk ka penguar askënd, por komisarët mendojnë të kundërtën. Sipas tyre Vettel duhej të mbante një trajektore të sigurtë, në pjesën e brendshme të pistës.

Gjithsesi, kjo çështje do të kalojë për momentin në Apel, duke bërë që fitorja e Hamilton të jetë ende në dilemë deri në një vendim zyrtar.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit