Flamurtari shkarkon trajnerin Sadedini, por nuk e “flak” në rrugë…

24 Tetor 2019
10:38
Alfred Lleshi
back button

Gerti Haxhiu ishte trajneri i parë i këtij sezoni për Flamurtarin, edhe pse nuk debutoi dot, sepse u dorëhgoq një ditë para startit të këtij kampionati. Shkaqet dihen, mosmarrëveshjet me donatorin Sinan Idrizi për emra të veçantë lojtarësh, që kishin mbërritur në merkato. Zgjedhje emergjente ishte Dritan Sadedini, një tjetër vlonjat, që ka dhënë mjaft si futbollist për fanellën kuqezi. Mirëpo, në fund të fazës së parë, skuadra bregdetare nuk sheh dot dritë në fund të tunelit… Bashkë me Luftëtarin janë dy favoritët kryesorë për të rënë nga kategoria. Për ta ndryshuar këtë trajektore fataliste, Sinan Idrizi ka vendosur ta shkarkojë trajnerin e dytë të këtij sezoni, por duke e mbajtur në staf. 

Përmes faqes në Facebook, Flamurtari njofton: “Komunikojmë ndërprerjen e bashkëpunimit me Dritan Sadedinin si trajner i parë. Ai do të vazhdojë të jetë pjesë e stafit teknik të ekipit”. Tashmë mbetet të shihet se cili trajner do ta marrë përsipër drejtimin e këtij Flamurtari, që duket në pikë të hallit, si rrallëherë në historinë e vet. Në fakt, vonesa në përgatitje, merkatoja e varfër në cilësi, largimi i thuajse krejt grupit të sezonit të kaluar, ishin paralajmërimi i kësaj që po ndodh. Në 9 javë kampionat, skuadra kuqezi ka grumbulluar vetëm 2 pikë dhe mban vendin e fundit në klasifikim. 2 barazime dhe 7 humbje janë treguesi më i mirë i situatës kritike te bregdetarët.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit