“Flas çdo ditë me Dybala”; Sarri mohon problemet me yllin e Juves

15 Janar 2020
11:40
Alfred Lleshi
back button

Trajneri i Juventusit, Maurizio Sarri, përsëriti se nuk ka asnjë çështje midis tij dhe Paulo Dybala, pas reagimit me zemërim të sulmuesit gjatë zëvendësimit në fitoren e së dielës, 2-1 në Romë. Argjentinasi dha pasin në golin e Merih Demiral dhe fitoi penalltinë, në minutën e 10-të, të goditur me sukses nga Cristiano Ronaldo. Ai u pa mjaft i zemëruar, kur u zëvendësua nga Gonzalo Higuain, me 20 minuta për t’u luajtur deri në fund.

Duke folur para ndeshjes së “Coppa Italia”, kundër Udinese, Sarri tha se nuk kishte asgjë për të sqaruar mbi këtë çështje: “Unë flas me Dybala çdo ditë, gjithashtu sepse më pëlqen. Nuk ka nevojë të flasim më për atë që ndodhi. Ndër të tjera, stafi më tha se ai pyeti vetëm pse po zëvendësohej, nuk më duket asgjë e veçantë. Ne jemi me fat që kemi sulmues të fortë, që duhet të jenë burim frymëzimi, jo problemesh e polemikash”.

Sarri la të kuptohej se mund të zgjedhë një formacion të fortë për ndeshjen e Kupës së Italisë, me Ronaldon në konsideratë: “Tre sulmuesit tanë janë në gjendje të mirë. Cristiano po kalon një formë të shkëlqyeshme . Dua të flas me të, për të zbuluar nëse do ta luajë apo jo”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit