Flick, i mahnitur nga portieri i tij: Neuer është një profesionist i çmendur…

26 Nëntor 2020
11:18
Alfred Lleshi
back button

Hansi Flick e ka përshkruar portierin e Bayern Munchen, Manuel Neuer, si një “profesionist të çmendur”, pas paraqitjes së tij madhështore në fitoren e së mërkurës, 3-1 ndaj Salzburgut, në Ligën e Kampionëve. Robert Lewandowski, Kingsley Coman dhe Leroy Sane shënuan për bavarezët, ndërsa Mërgim Berisha realizoi për miqtë. Ky rezultati regjistroi fitoren e katërt të Bayernit në katër ndeshje të Grupit A dhe vulosi kualifikimin në 16-she.

Mund të kishte qenë një rezultat i ndryshëm, po të mos tregohej heroik portieri Neuer. Ndërkombëtari gjerman bëri 10 pritje dhe iu mohoi gola të sigurt austriakëve. Spikasin veçanërisht pritjet e shkëlqyeshme karshi “predhave” të Berishës dhe Enock Mwepu. Trajneri Flick përshëndeti përkushtimin e 34-vjeçarit për zanatin e tij: “Manu ka luajtur në mënyrë sensacionale për më shumë se një vit. Me të, porta për sulmuesit po bëhet gjithnjë e më e vogël. Neuer është në formën e jetës së tij. Ai është një profesionist i çmendur dhe shumë i përqendruar në punën që bën”.

Flick nuk ishte i impresionuar nga “paaftësia” e skuadrës së tij për të mbajtur topin, por refuzoi të ishte shumë kritik me lojtarët, të cilët tha se u përmirësuan pas pushimit mes dy pjesëve: “Ne e bëmë rrugën tonë pak të vështirë, sepse humbëm shumë topa. Humbjet e topit nuk duhet të ndodhin kështu. Kjo është pasiguri dhe pamaturi. Sigurisht, ne kemi probleme me grupin për momentin.

U bë më mirë në pjesën e dytë. Unë jam i kënaqur me efikasitetin dhe, natyrisht, kemi një portier të klasit botëror në prapavijë. Kemi pësuar shumë gola kohët e fundit. Kjo ka ndodhur, sigurisht, edhe për shkak të kundërshtarëve. Ne luajtëm kundër një ekipi të fortë. E humbëm topin shumë lehtë dhe kjo na dëmtoi. Për mua është e rëndësishme që fituam sot dhe jemi fitues të grupit”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit