Florian Marku triumfon ndaj francezit Luisetto dhe mbron titullin kampion bote

21 Nëntor 2021
0:11
Gentian Spiri

Boksieri shqiptar Florian Marku mbrojti titullin kampion bote në kategorinë IBF International, duke mposhtur sot në mbrëmje me vendim unanim të gjyqtarëve francezin Jorick Luisetto, një duel me tetë raunde zhvilluar në stadiumin “SSE Arena” të Londrës. Një sukses i merituar i Marku, ende i pamposhtur në ring, duke korrur sot suksesin e dhjetë në karrierë (ka edhe 1 barazim).

Kjo ishte hera e parë për Florian Marku që mbronte titullin kampion të peshës “welter” (pesha deri 67kg), trofe që e pat fituar dy muaj më parë po në Londër. Një sfidë e mirë e boksierit shqiptar, i cili i mbështetur nga qindra shqiptarë të pranishëm me flamujt kuqezi, nuk zhgënjeu, duke treguar një boksim të mirë. Për Luisetto, kjo ishte humbja e tretë në karrierë (ka edhe 11 fitore).

Të tri gjyqtarët i dhanë fitoren Markut me shifrat 78-75.

Marku ishte agresiv në ring, duke e goditur kundërshtarin që në raundin e parë, ndërkohë që, njëkohësisht, edhe mbrohej mirë. Luisetto përpiqej hera-herës të vinte në vështirësi boksierin kuqezi, por jo mjaftueshëm për të fituar sfidën. Florian Marku e kishte gjatë gjithë kohës në kontroll rivalin e tij, duke e merituar fitoren dhe gëzuar fansat e shumtë.

Boksieri shqiptar ishte gjithnjë në sulm, nga raundi në raund, duke marrë nismën i pari për të goditur rivalin, ndërsa Luisetto mbrohej dhe nuk ishte në gjendje të reagonte. Me kalimin e raundeve, Marku grumbulloi avantazhin e mjaftueshëm me pikë për të mposhtur rivalin francez, duke mbrojtur titullin kampion bote në kategorinë IBF International.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit