Formacioni më i mirë i dekadës, Neymar mbetet jashtë PSG

14 Janar 2020
15:02
Alfred Lleshi

PSG ka jetuar një dekadë kryesore në historinë e vet si klub futbolli. Kryeqytetasit francezë u konfirmuan në këto dhjetë vite si dominuesit e mëdhenj të Ligue 1, duke fituar gjashtë nga dhjetë kampionatet e zhvilluara, katër prej tyre radhazi (2012-2016). Duke qenë një jubile kohor, “France Football” ka përzgjedhur formacionin më të mirë të PSG gjatë dekadës së kaluar, ku spikat mungesa e Neymar, lojtarit për të cilin ka paguar më shumë klubi nga “Parce des Princes”. Madje, 27-vjeçari brazilian është futbollisti më i shtrenjtë në historinë e këtij sporti.

Porta
Salvatore Sirigu (2011-2016). Italiani ishte një portier garancish gjatë viteve që luajti në Paris. “France Football” e përzgjedh mes shtyllave, pavarësisht se thotë se portieri më i mirë për talentin e pastër, që ka luajtur në “Parc des Princes” në dhjetë vitet e fundit, është i porsaardhuri, Keylor Navas. “Duhet një kohë e shkurtër për ta përfshirë atë në 11-shen më të mirë”, – justifikohet revista e njohur sportive franceze.

Mbrojtja
Krejtësisht braziliane. Ajo përbëhet nga Thiago Silva (2012-….), Marquinhos (2013-….) Dhe Maxwell (2012-2017). Silva është një institucion në Paris. Kapiteni aktual ishte një nga blerjet e shkëlqyera të PSG në këto dhjetë vite. Ai është fiksuar në qendër të mbrojtjes, që nga ardhja prej Milanit. Marquinhos ishte një investim i fortë, por fitimprurës. Tani është ndër mbrojtësit më të mirë në botë. Pozicionohet në të djathtë të këtij formacioni. Maxwell arriti si zëvendësues nga Barcelona, por në Paris ishte “pronari” i krahut të majtë. Luajti 214 ndeshje deri në tërheqjen e tij, më 2017.

Mesfusha
Në qendër të fushës, dy lojtarë vijojnë me parizienët, ndërsa dy të tjerë janë larguar. Në “zemër” të këtij reparti është Thiago Motta (2012-2018), me Verratti (2012-…) dhe Matuidi (2011-2017) në krahë. Di Maria (2015-…) është më i avancuar, mes mesfushës dhe sulmit. Sikurse duket, ky repart ka fizik dhe talent. Braziliano-italiani u tërhoq në Paris, ku arriti nivelin e tij më të mirë dhe ishte lojtar kyç për shumë sezone. Verratti mbërriti si një premtim nga Pescara dhe është konfirmuar në kryeqytet, ndërsa Matuidi ka emigruar te Juventusi. Di María, gjithashtu, u takua me futbollin e tij më të mirë në kryeqytetin francez, pas një sezoni të vështirë te Manchester United.

Sulmi
Në sulm, “France Football” ka zgjedhur tre gjigantë: Edinson Cavani (2013-…), Zlatan Ibrahimovic (2012-2016) dhe Kylian Mbappé (2017-…) Pra, nuk ka vend për brazilianin Neymar (2017-…) “Ney nuk është lënë jashtë për statistikat e tij, natyrisht, aq më pak për klasin që ka apo gjestet e “çmendura” teknike. Arsyeja lidhet me dëmtimet e tij dhe, për rrjedhojë, mungesat në ndeshjet kryesore, në fund të sezonit”, – thotë media në fjalë franceze. Edinson Cavani hyn si golashënuesi më i mirë në historinë e klubit, me 198 gola. Zlatan, golashënuesi i dytë më i mirë, bën vend në formacion si ylli i parë i madh që arriti në kryeqytetin parizien, ndërsa Mbappé si talenti i fundit i shkëlqyer, që u bashkua me PSG. Që nga viti 2017, ai ka grumbulluar tashmë 79 gola dhe përfshihet në 11-shen më të mirë të kësaj dekade.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit