Formula 1, Sebastian Vettel do të largohet nga Ferrari në fund të sezonit

12 Maj 2020
9:31
Alfred Lleshi
back button

Një lajm disi befasues vjen nga Formula 1, në këtë kohë pandemie, ku sporti ka qenë i karantinuar. Merr fund “dashuria” mes Sebastian Vettel dhe skuadrës italiane të Ferrarit. Ai do të largohet nga “Kokëkuqja” në fund të sezonit. Shefi i Ferrari, Mattia Binotto, tha se vendimi ishte i ndërsjellë dhe se “nuk ishte i lehtë për t’u marrë, duke pasur parasysh vlerën e Sebastianit si pilot dhe si njeri”. Ai shtoi: “Kishte ardhur koha që t’i ndajnë rrugët tona për të arritur objektivat përkatëse”.

Vettel shtoi se nuk ekzistonte më dëshira e zakonshme për të punuar së bashku. Kampioni i katërfishtë gjerman botëror, 32 vjeç, vazhdoi më tej: “Çështjet financiare nuk kanë luajtur asnjë rol në këtë vendim të përbashkët. Ky aspekt nuk më determinon, kur bëhet fjalë për të bërë zgjedhje të caktuara. Dhe nuk do të jetë më kurrë parësor.

Ajo që po ndodh në këto muajt e fundit ka bërë që shumë prej nesh të reflektojnë, se cilat janë përparësitë reale në jetë. Duhet të përdorim imagjinatën njerëzore, të kemi një qasje të re ndaj situatës, që ka ndryshuar. Unë vetë do të marr kohën e duhur, duhet të reflektoj për atë që me të vërtetë ka rëndësi, kur bëhet fjalë për të ardhmen time ”.

Spanjolli Carlos Sainz, aktualisht pilot i McLaren, është në mesin e atyre, që kanë qenë të lidhur me vendin e Vettel. Nëse Sainz largohet nga McLaren, një opsion për ekipin është Daniel Ricciardo i Renault.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit