FOTOJA E JAVËS / Keylor Navas “hakmerret” keq ndaj Courtois

19 Shtator 2019
15:17
Alfred Lleshi
back button

Dy gjigantët evropianë u përplasën në ndeshjen e parë të fazës në grupe të Ligës së Kampionëve dhe, megjithëse PSG i munguan Neymar, Edinson Cavani e Kylian Mbappe, fitoi me lehtësi, 3-0. Kjo disfatë e la Zinedine Zidane me shumë pikëpyetje dhe shumë pak përgjigje. Një nga këto pikëpyetje mund të lidhet me portierin Thibaut Courtois. Belgu nuk e ka mbajtur të pastër portën e “Los Blancos” që nga muaji shkurt i këtij viti. Ai nuk pati një mbrëmje të këndshme as në Paris, sepse mund të konsiderohet fajtor, sidomos në golin e parë të Angel di Maria. 

Kjo paraqitje, me siguri nuk do ta ndihmojë përballë kritikave të tifozëve të Realit, që ende nuk janë bindur nga belgu. Për Courtois, Florentino Perez pagoi 35 milionë stërlina te Chelsea, verën e vitit 2018. Ai mori vendim për ta shitur Keylor Navas te kundërshtarët e mbrëmjes së kaluar. Navas nuk pati shumë punë ndaj Real Madridit, sepse nuk pati thuajse asnjë goditje serioze në portën e tij gjatë 90 minutave. Megjithatë, shumë njerëz mendojnë se në të vërtetë ai do të ishte siguri më e madhe për portën e të bardhëve. 

Vetë Navas do të jetë i lumtur me vendimin për ta lënë “Bernabeu”, pasi tani po luan rregullisht me një klub të nivelit të lartë europian. Një foto mjaft domethënëse po bën xhiron e botës, në të cilën është fiksuar Navas duke i shkelur syrin Courtois. Edhe pse nuk ka asnjë shpjegim se portieri nga Kosta Rika po e tallte kolegun belg, që e përzuri nga Real Madridi, fotografia, për çudi, është bërë tejet “virale” në internet.

Pas ndeshjes, Navas u pyet për marrëdhëniet e tij me Courtois: “Unë nuk e lashë Real Madridin për shkak të kësaj. U largova, sepse ky ishte opsioni më i mirë për mua dhe familjen. Jam mirëpritur sikur të kisha qenë këtu prej një kohe shumë të gjatë. Më e mira që mund të jap është të mbroj deri në vdekje këto ngjyra, të punoj shumë dhe të fitoj trofe të rëndësishëm”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit